· Në vitin 2008 u arratis dhe, nëpërmjet portit të Triestes, u kthye në Shqipëri
· Pjesëtarë të ekipit të Rojës së Financës italiane e diktuan Pirron ndërsa pinte kafe në një lokal luksoz të Durrësit
DURRËS, 7 shkurt 2014 – Pirro Spiri ishte dënuar nga gjykata italiane me 10 vjet dhe 5 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge. Ndërsa vuante dënimin me arrest shtëpie në qytetin e Pordenone-s në Itali, në vitin 2008, u arratis dhe, nëpërmjet portit të Triestes, u kthye në Shqipëri. I arratisuri vazhdonte në atdhe të drejtonte një rrjet trafiku droge me synim vendet e BE-së, duke pasur Italinë si pikë hyrjeje në këto vende. Gjatë gjithë kësaj kohe (2008-2013), aktiviteti i tij i kundërligjshëm ishte nën mbrojtjen e segmenteve të devijuara të policisë shqiptare. Pjesëtarë të ekipit të Rojës së Financës italiane, që janë vendosur në Durrës, sipas një memorandum mirëkuptimi me autoritetet shqiptare, e diktuan Pirron ndërsa pinte kafe në një lokal luksoz të Durrësit. Interpol Roma, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, pas këtij “zbulimi” nga financierët italianë bëri të mundur arrestimin e Pirro Arqile Spirit, 40 vjeç, në tetor 2013. Pasi u kryen të gjitha procedurat ligjore, Pirro Spiri u ekstradua nga Rinasi për në aeroportin e Fiumicinos së Romës më 4 shkurt 2013.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





