7 shkurt 2014- Mbërrin sot në atdhe trupi i pajetë i ikonës së këngës shqiptare Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë dje në Basel  të Zvicrës pas një sëmundjeje të gjatë dhe të mundimshme. Trupi i pa jetë i artistes Vaçe Zela pritet të mbërrijë në Tiranë sot rreth orës 17:00, ndërsa homazhet do të zhvillohen nesër në orën 10:00 deri në orën 12:00. në Teatrin Kombetar të Operas dhe Baletit.   Artistja e Madhe ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë, ndërsa me vete mori pengun për tu kthyer edhe njëherë në Shqipëri. Amaneti i saj i fundit ishte të prehet në Atdhe dhe pikërisht kështu do të ndodhë. Gjatë homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë. Pas homazheve ikona e këngës shqiptare do të përcillet për në banesën e fundit duke u nisur nga TKOB për tu prehur në varrezat e Sharrës.   Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit,  Edi Rama. Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. Kënga e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare.