7 shkurt 2014 – Një reformë pensionesh që synon zgjidhje afatgjatë të problemit e ka quajtur Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj reformën që do të kryhet. Në nisje të takimit të sotëm për ngritjen e grupit të punës për reformën e sigurimeve shoqërore në vend, Veliaj ka deklaruar se heqja e tavanit për sigurimet është një gjë shumë pozitive, pasi sipas tij duhet ti jepet kujdo mundësia që të kontribuojë më shumë nëse do të përfitojë një pension më të lartë.   “Sistemi i pensioneve ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Skema ka disa objektiva të shumëfishta. Qeveritë kanë synimet e tyre duan të bëjnë një rishpërndarje efektive dhe të reduktojnë varfërinë. Skema duhet të ketë dy elemente mjaftueshmërinë dhe përballueshmërinë. Skema aktuale ka dështuar me sukses në të dyja këto elementë.   Dhe të jetë e përballueshme nga financat e shtetit. Masa e përfitimit është shumë e ulët. Skema nuk e garanton mjaftueshmërinë e benefiteve. Skema është e pa përballueshme për financat publike dhe nuk e mban dot veten. Defiçiti ka arritur ne 420 milionë dollarë. Çka ka rezultuar në taksim të dyfishtë të të punësuarve të cilët po paguajnë edhe sigurime shoqërore dhe po taksohen për të mbajtur skemën gjallë. Është ngushtuar raporti kontribues dhe përfitues. Raporti duhet të jetë 4-6 kontribues për një përfitues”, u shpreh Veliaj.