DURRËS, 6 shkurt 2014 – Odiseja e të penduarit që solli arrestimin e atentatorit Julian Sinanaj, disa fakte të panjohura të siguruara nga “Dyrrah”-u hedhin dritë mbi një kronologji të ngjarjeve, njëkohësisht zhurma për bujë nga ministria e Brendshme mbi arrestimin e tritol-vënësit mundësoi largimin e porositësve, kushërinjve Mëhillaj. Po ashtu, persona të fuqishëm në kupolën e policisë së shtetit kanë dekonspiruar faktet dhe kanë ushqyer me informacione edhe shefin de facto të opozitës, Sali Berisha.

Trokitja në kohë analize

N. Gj. trokiti në derën e policisë paraditen e 17 janarit 2014 në Durrës. Për fatin e tij të keq, atë paradite policia e Durrësit priste në analizë ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri (shih faksimilen e faqes së “Dyrrah”-ut 17 janar 2014 dhe linkun: http://www.durreslajm.com/aktualitet/durres-gjate-vitit-2013-jane-zbuluar-81-per-qind-e-krimeve). Oficerit të rojës i kishte kërkuar takim me drejtorin ose nëndrejtorin e policisë. Titullarët deri në orën 2 e 30 kanë qenë të zënë në mbledhjen që zhvillohej në katin e katërt.

Treshja që pyeste

Vetëm pas kësaj ore Gj. është pritur nga tre titullarët e policisë, e konkretisht drejtori, nëndrejtori, shefi i komisariatit. Në kërkesën e bërë N. Gj. u ka kërkuar titullarëve t’i marrin në mbrojtje menjëherë familjen, duke u treguar i rezervuar në informacionin e dhënë. “Kërkoj të më merrni në mbrojtje familjen. Prej një muaj e gjysmë jetoj me bashkëshorten dhe djalin e mitur në një banesë me qira në zonën e plazhit të Durrësit. Më merrni familjen në mbrojtje”.

Vetëm detaje

Drejtuesit e policisë për më shumë se tri orë e 30 minuta e kanë marrë në pyetje, dhe N. Gj. nuk ka treguar emrin e tij të plotë, apo të vrasësit me pagesë,duke dhenë vetëm detaje nga vrasjet apo atentatet e bëra nga Sinanaj. “Jam nga Vlora dhe vrasësi me pagesë do të ekzekutojë edhe mua. Ai ka vrarë njerëz, dhe tani do të më vrasë familjen, nëse nuk i përgjigjem, për të kryer atentatin e një biznesmeni nga Durrësi. Më merrni në mbrojtje familjen, unë nuk dua të vritet njeri”.

I stresuar, tejet i paqartë

Pas orës 18 pasdite ka kërkuar të dalë nga policia, me pretendimin se do të shkojë pranë familjes së tij në plazhin e Durrësit. Nuk u pengua të shkonte pranë familjes, sepse do ta mbanim në vëzhgim, deri në momentin që prokuroria do të merrte vendimin. Ishte i stresuar, tejet i paqartë, në atë që thoshte dhe vepronte, tregon në kushte anonimati funksionari i policisë.

Miratimi i prokurorit

Prej këtij momenti nisëm menjëherë hetimet. Thirrëm prokurorët e Durrësit, dhe hetimet përfshinë një numër të konsiderueshëm ngjarjesh, që brenda dy orëve dolën të vërteta në bazë të deklaratave që bëri N. GJ.-ja. E thirrëm menjëherë në telefon, pasi prokurori kishte dhënë miratimin për të marrë në mbrojtje dëshmitarin dhe familjen e tij, por ai kishte shkuar te studio e televizionit “News 24”.

Dikur i dobët, tani i shëndoshë

Automjeti i policisë u nis të merrte dëshmitarin në Tiranë. Hetimet u ndoqën nga një grup prej katër personash nga Durrësi në fshehtësi të plotë, në bashkëpunim me policinë e Tiranës. N. GJ.-ja  identifikoi Julian Sinanajn si vrasësin me pagesë. Në polici ishte vetëm një foto e tij, e bërë vite më parë, ku dukej mjaft i dobët. Oficerët e policisë së Tiranës e kishin mjaft të vështirë identifikimin e tij, sepse ishte shëndoshur dhe kishte ndryshuar pamje krejtësisht nga fotoja që kishte në duar policia.

Telefonatat e Sinanajt

Gjatë kohës që N. Gj.-ja depononte në polici, Sinanaj e merrte në celular vazhdimisht dhe e kërcënonte pse nuk i përgjigjej, pse nuk i hapte telefonin.

Blutë dhe prokurori i Durrësit ndoqën hetimet e plota deri në momentin e arrestimit të Sinanajt, në bashkëpunim me kolegët nga Tirana, duke shmangur vrasjen e biznesmenit Piro Bare.

Hetimet te krimet e rënda

N. Gj.-ja vuri në dijeni autoritetet se Sinanaj ishte mjaft i rrezikshëm dhe në banesë kishte lëndë eksplozive. Sinanaj u arrestua 24 orë para se të publikohej në media, ndërsa mëngjesin e 25 janarit në orën 4 të mëngjesit, u zbulua banesa e tij në Tiranë ku u gjetën armët e zjarrit dhe eksplozivi. Me gjetjen e vend-banesës së tij, dosja hetimore kaloi nga Durrësi drejt krimeve të rënda në Tiranë.

Pse nuk duhej publikuar emri i killerit

“Nëse do të ishte për ne, të policisë së Durrësit, as në datë 25 janar 2014, nuk duhej të bëhej publik emri i Julian Sinanajt. Kjo bëri që të dekonspirohej operacioni për kapjen e dy kushërinjve Mëhillaj, dhe grupit që dyshohet se është më i madh”, pohuan burime të sigurta. N. Gj. kishte jetuar në Vlorë deri një muaj e gjysmë më parë, ndërsa para dy vjetësh ishte kthyer nga Italia, ku kishte kryer një dënim prej 3 vjet e 6 muaj burg për vjedhje. Familja e tij jeton në Itali.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/