DURRËS, 6 shkurt 2014 –  Peshku në det dhe tigani në zjarr. Ndonëse projekti i ndërtimit të portit të ri të Shëngjinit është në fazën e një projekt-ideje, sikurse u fiksua më 16 janar 2014 në një protokoll shqiptaro-kinez (shih faksimilen), pas më se dy javësh, më 2 shkurt 2014, gjatë një inspektimi në portin e Durrësit, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto deklaroi se“porti i Shëngjinit do të jetë port i përmasave evropiane, ku të përpunohen kontejnerë, minerale, mallra gjenerale”. Nuk ishte nevoja që ministri Haxhinasto të bënte deklarata “elektorale” për diçka që po diskutohet si ide, për më tepër e di mirë, si ish-ministër i Jashtëm i kabinetit PD-LSI (16 shtator 2010-4 prill 2013), se si Uashingtoni e detyroi Kryeministrin Sali Berisha të “hante në besë” kinezët për hidrocentralet e investime të tjera. Natyrisht, ministri bëri “indietro” në komunikatën për shtyp po më 2 shkurt 2014.

Info

Në fjalën e mbajtur më 16 janar 2014 në sesionin e tetë të komisionit të përbashkët Shqipëri-Kinë, kryetari i delegacionit shqiptar, Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, tha: “Lidhur me fushën e transportit dhe infrastrukturës, një nga projektet tona prioritare është “Ndërtimi i portit të ri të Shëngjinit”- një projekt jo vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Serbinë, Bullgarinë dhe për gjithë rajonin, i cili do të ndikojë në zhvillimin e gjithë rajonit, sidomos në rritjen e shkëmbimeve tregtare. Ne jemi të interesuar për bashkëpunim në fushën e detarisë, ndërmjet dy vendeve, bazuar në standardet ndërkombëtare e cila do të krijojë një bazë reale për rritjen e bashkëpunimit në këtë fushë”. Në kushtet e krizës ekonomike dhe mungesës së financimeve, ëshët e natyrshme që Ahmetaj të shprehej: “Ne jemi të interesuar të njohim termat e referencës të paketës së propozimeve që lidhen me aplikimin në fondin kinez të kreditimit prej 10 miliardë dollarë si dhe në atë të investimeve prej 500 milionë dollarë dhe shpresojmë se projektet që do të propozohen do të konsiderohen financiarisht në terma të leverdishëm”.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/