·      Kishte vjedhur 41 vetura, si dhe traktorë bujqësorë, makineri ndërtimi, makineri për kopshtari, televizorë, frigoriferë, pajisje muratori, lavatriçe dhe lavastovilje, aparate fotografike, kompjuterë, celularë, qindra bileta lotarie “gërvisht dhe fito”

DURRËS, 6 shkurt 2014 –  Policia italiane e qytetit të Peruxhias shpartalloi një bandë të madhe hajdutësh, ku rumunët, shqiptarët dhe italianët bashkëpunonin me njëri tjetrin për të kryer qindra vjedhje brenda një viti. Krahas vjedhjeve, banda merrej edhe me drogë, sepse të paktën në një rast një rumuni pjesëtar i bandës iu kapën 100 gramë kokainë nga policia italiane. Banda vepronte në veri të Italisë në rajonet e Toskanës dhe Umbrias. Ndër të tjera, banda kishte vjedhur 41 vetura, të cilat shpesh i përdorte për të kryer vjedhje të tjera. Deri tani policia italiane ka arritur t’i kapë bandës mallra të vjedhura me vlerë mbi 250 000 euro. Hajdutëve u janë bllokuar nga policia traktorë bujqësorë, makineri ndërtimi, makineri për kopshtari, televizorë, frigoriferë, pajisje muratori, lavatriçe dhe lavastovilje, aparate fotografike, kompjuterë, celularë etj. Ndër mallrat e vjedhura u gjetën edhe qindra bileta lotarie “gërvisht dhe fito”. Disa prej këtyre biletave kishin fituar çmime të vogla, por banda nuk i kishte tërhequr akoma çmimet në momentin e arrestimit. Bandës iu kapën edhe 16 000 litra naftë vjedhur në parking dhe nga serbatorët e mjeteve të ndryshme. Pjesëtarët shqiptarë të bandës që ranë në pranga janë: Kujtim Prenga lindur në 1979, i cili merrej me shitjen në Shqipëri dhe Itali të mallrave dhe veturave të vjedhura dhe Eduart Kabashi i lindur në 1982. Kabashi ishte specializuar në vjedhje automjetesh. Të dy shqiptarët u arrestuan në Peruxha, ndërsa rumunët dhe italianët u arrestuan jo vetëm në Peruxha por edhe në Romë, Siena dhe Firence.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/