6 shkurt 2014 – Lajmi për ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare Vaçe Zela ka prekur të gjithë shqiptarët. Personalitete të larta të politikës dhe të artit kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Artistes së Popullit Vaçe Zela.

Ilir Meta: Vaçe Zela ishte një zë i mrekullueshëm që ka zbukuruar dhe lumturuar jetën e gjeneratave të tëra në kohë më të vështira. Mbas pothuajse 20 vjetësh mungese në skenë por gjithmonë e pranishme në kujtesën tonë Vaçja e madhe, “Nderi i Kombit”  është ende kulmi i papërsëritshëm i këngës shqiptare. Ajo është shkëlqimi i zërit të shpirtit dhe padyshim mbretëresha e kurorëzuar e muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare. Ajo ishte njeriu që i dha emrin një epoke, ishte fëmija e shkëlqyer dhe i papërsëritshëm i këngës dhe i muzikës shqiptare. Prandaj të nderuar deputetë për të nderuar këtë figurë të jashtëzakonshme të këngës, të muzikës dhe të artit tonë ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje.

Edi Rama: Në një kohë e vend tjetër Vaçja do ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë të ndezur yllin e vet në qiellin e Shqipërisë.

Ambasada amerikane në Tiranë: “Sot, Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare – jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj. U prehte në paqe!” shkruhet në mesazhin e Ambasdës.

Kastriot Islami: Te dashur miq, sot eshte nje dite trishtimi… Ndahet nga jeta bilbili i kenges shqipe Vace Zela, per tu bere e pavdekshme. Kengetarja me popullore dhe me e dashur, Mbreteresha e kenges shqiptare, qe do te mbetet me mendjen e cdo shqiptari kudo ne bote… Zeri i saj i fuqishem, i embel e kembyes, Zeri i Arte i Shqiperise, do te jetoje perjete… Vaçe Zela, kengetarja me e madhe e te gjithe kohrave, padyshim meriton te vendoset ne krye te Panteonit te Kenges Shqiptare… U prehte e qete dhe ne paqe….

Ditmir Bushati: "Talent i paperseritshem qe do te na mungoje! RIP Vace Zela!

Jozefina Topalli:  E dashura e Shqiptarëve!  Iku Vaçe Zela, mbeti zëri i Saj! I këndoi me dashuri pa kufi vendit të saj si askush tjetër! I gëzoi jetët e shqiptarëve me magjinë e zerit te saj, kur nuk kishte asnjë gëzim për to! Ajo ishte e dashura e shqiptarëve! 

Arben Ahmetaj: "Një ditë e trishtuar për artin shqiptar dhe jo vetëm. Humbja e Vaçe Zelës është një humbje e ndjerë thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, zemra të cilat Vaçja diti t’i ngrejë peshë me forcën e një vokali që i kapërcen caqet e kohës, me zërin dhe talentin e saj unik dhe të papërsëritshëm. Vaçja e fitoi betejën me kohen, e kapërceu sfidën e te qenit e paharruar. U preftë në paqe!"

Agim Krajka: Ka vdekur vetëm fizikisht, ajo do të mbetet e pavdekshme në skenën shqiptare. 

Sherif Merdani: Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë. E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjes, me shokun tim u njoh që iu bë dhe bashkëshorti i saj. Ishte mina e Shqipërisë. Një dhuratë nga Zoti 

Bujar Kapexhiu: Do të mbetet e paharruar jo vetëm për mua, por për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të ngjiten në skenën shqiptare. Ajo ka qenë shkollë për këngëtarët shqiptarë. Ajo këndonte në mënyrë të jashtëzakonshme. Marrëdhëniet e saj me regjisorin, kompozitorin kanë qenë të jashtëzakonshme. Nuk e besoj dot që ajo është ndarë nga jeta.

Agim Doci: Sapo e mësova lajmin. Po udhëtoj drejt Bazelit…

Aurela Gace: Sapo u zgjova dhe hap televizorin si rutinë e mëngjesit. Dëgjoj lajmin e hidhur të shuarjes nga jeta të artistes së Kombit, Vace Zela….menjëhere më erdhi në mend atë cfarë kam përjetuar kur e kam takuar për herë të parë…në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës shkova ta takoj shumë vite me parë…e shoh të buzëqeshur , me zërin e embël që më ftoi të ulesha dhe u bukosa fare, nuk flisja dot, nuk i thosha dot sa shumë e doja zerin e saj, sa shume kisha dëgjuar…më ofroi kek të cilin e kishin gatuar në shtepi….mezi e hengra nga emocioni i madh që kisha duke qëndruar afer saj. E pyes xhaxhi Pjetrin, bashkëshortin e saj, " si është të jetosh pranë kesaj artisteje kaq të madhe"? Ai mu përgjigj i qetë, për mua ka qenë dhe është njeriu i jetës time.  E kam takuar përsëri e kam folur në telefon për ti uruar ditelindjen e saj, dhe zëri i saj po i njëjtë, i qete, i ëmbël, i butë dhe kaq e dashur. Edhe kur kishte vështirësi të fliste nga sëmundja e saj, ajo prape nuk harronte të më pyeste se si isha e si e kisha vajzen..  Të dua shume teta Vace (sepse keshtu i drejtohesha), dhe emri yt e zëri yt do të jetojë në memorjen e të gjithëve ne, …. vajzës time do t'ja mesoj emrin dhe këngët e tua, që edhe ajo e brezat e tjere ta dinë se cfare thesari ka pasur e ka Shqipëria. Shpirti yt prefte në paqe.

Myfarete Laze: Këngëtare komplekse për të gjitha zhanret. Kam pasur fatin që të këndoj këngë në festival, kompozime me të. Vaçja një talent i rrallë… 

Zhani Ciko: Në këtë ditë të trishtë ku duket sikur dhe natyra ka marrë pjesë në të. Vaçja, artiste shumëdimensionale. Figura e Vaçes do të mbetet e paharruar dhe do të vlerësohet nga populli

Sidrit Bejleri: Ndërroi jetë një ndër figurat më të mëdha të artit skenik shqiptar… Iku përtej artistja e madhe, ajo të cilës të gjithë i referohen kur flitet për majat e vokalit shqiptar… Iku Vaçja… Paqja e Zotit qoftë me të!

Irma Libohova: Jam tepër e hidhëruar. Jam këngëtare e brezit të saj dhe për mua ka qenë shkollë. Ajo ka qenë autoritare, e vendosur, në biseda që kemi pasur bashkë më tregonte shumë mbi muzikën. Për mua ka qenë mike, shoqe, dhe ngushëlloj familjen. Nuk e di, por kjo ditë e trishto. Vacja nuk ka vdekur. Për mua ka qenë krenari që krahasonin zërin tim me të sajin.

Mimoza Selimi: E kisha mike, ngushëlloj familjarët e saj. Në Zvicër, takoheshim gjithmonë bashkë, nuk kam fjalë aq dhimbje ndjej. 

Bashkim Alibali: E pritëm me shumë dhimbje, se Vaçen e kam njohur prej vitesh. Artiste dhe njeri me zemër të madhe. Ka ik një yll shumë i ndritshëm i muzikës shqiptare. Kangët e saj dhe mund të këndohen, do të doja të dëgjoja vetëm zanin e Vaçe Zelës, një zë i papërsëritshëm i Shqipërisë. Ajo ka qenë me vërtet një këngëtare e madhe dhe një njeri i thjeshtë. Para se të dilte në skenë i kishte duart akull, por sa hynte ishte zjarr i vërtetë. Duhet të bëhet më shumë për figurat e nderuara që të mos lihen në harresë…