4 shkurt 2014- Fitorja e Teutës mban vetëm një emër, atë të Joel Apezteguia, i cili për 90 minuta me radhë dhuroi spektakël për të pranishmit, duke realizuar 4 gola e dhënë një asist. Kubanezi edhe më parë ka bindur me performancën e tij, por kundër Lushnjës ka kaluar të gjitha limitet, duke çuar në këmbë të gjithë të pranishmit. Lojtari ishte i kudondodhur dhe tepër i saktë me veprimet e tij.Emri i plotë është Xhoel Apezteguia, është 29 vjeç, me origjinë nga Kuba dhe një lojtar që në fillim e shihnin me skepticizëm, por nga ndeshja në ndeshje e ka marrë veten, madje është duke treguar se është një nga afrimet e bujshme të skuadrës durrsake. Teknik dhe me shumë përdorim topi, në ndeshjen me Kukësin, që ishte dhe premiera e tij në Superiore. Binte në sy nga mënyra se si i driblonte kundërshtarët. Xhoel realizoi 4 gola, madje nëse do të kishte qëndruar akoma më tepër minuta në fushën e lojës, do të kishte shënuar edhe më shumë. Teuta tashmë ka “fituar” një tjetër sulmues. E ardhmja duket e ndritur, madje është në kulmin e karrierës aktualisht dhe prej tij durrsakët presin akoma më tepër, tashmë që ka bërë edhe fazën përgatitore. Ka luajtur në Spanjë, Moldavi, ndërkohë që tek Teuta duket se po shkëlqen. 4 golat e rendisin direkt në listën e shënuesve më të mirë, sulmuesin që ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Kubës. Ja fjalët e kubanezit pas ndeshjes: “Golat ua dedikoj të gjithë të pranishmëve që ishin në shkallët e stadiumit “Niko Dovana”, të cilët na mbështetën gjatë 90 minutave, presidentit, stafit teknik dhe kolegëve të mi, me të cilët shpresoj të shkojmë shumë larg. Në skuadër kemi lojtarë mjaft cilësorë, të cilët ta bëjnë shumë të lehtë punën për të shënuar. Ndoshta kjo erdhi edhe si pasojë e kundërshtarit, i cili nuk mundi të na përballonte, por gjithsesi suksesi mbetet vetëm i yni. Kur erdha te Teuta, i kisha të qarta objektivat e mia. Doja të aktivizohesha me një skuadër pretendente dhe besoj se kam gjetur të duhurën. Drejtuesit kanë formuar një skuadër, prej së cilës kërkojnë trofe, madje ne kemi besim se kjo nuk do të vonojë. Dua të fitoj trofe me Teutën dhe të luajmë në Kupat e Europës.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





