DURRËS, 3 shkurt 2014 – Kërcënime për një borxh 1500 euro. “Il Gazzettino” njofton se 19-vjeçari Leonard Noize dhe miku i tij rumun Lucian Onisii, vetëm 18 vjeç, vepronin si “baby gang”në provincën e Venezias, në qytezën e Cexhias. Ata prej një muaji kërcënonin një drogaxhi italian t’u jepte 1500 euro, që u kishte borxh të dyve për kanabisin e furnizuar. Dy adoleshentët e kishin kërcënuar vazhdimisht nëpërmjet “WhatsApp”-it italianin. Më pas kishin kërcënuar të ëmën e tij, të dashurën, duke i bërë presion pranë shtëpisë. Ata i kishin rrahur të vëllanë 20-vjeçar, i cili, për shkak të plagëve, u shtrua tri ditë në spital. Me të tilla kërcënime kërkonin patjetër 1500 euro ose arturina për t’i shitur derisa të plotësohej shuma prej 1 500 eurosh. Denoncimi i italianit në karabinieri i dha fund kësaj serie kërcënimesh dhe dhune. Pasi vunë në përgjim celularët e keqbërësve, karabinierët arritën të dokumentojnë plotësisht kërcënimet. Leonardi dhe Luciani u arrestuan nga karabinierët këtë uikend dhe gjykatësi u dha masën e sigurisë arrest shtëpie.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/