DURRËS, 2 shkurt 2014 – Shqiptari Elsjdio Hasani, (në foton kryesore), 29 vjeç, mendonte se po i shkonte mbarë biznesi i shfrytëzimit të prostitucionit në Bolzano (provincë gjermanofone në veri të Italisë), kur një rastësi i prishi planet. Kuestori i Bolzanos Lucio Carluccio (në foto) në dhjetor 2013 po priste disa kushërinj, që do vinin me tren në Bolzano. Policit profesionist i ra në sy një frekuentim i shpeshtë njerëzish të dyshimtë (klientësh) të dy vajzave të reja, që nuk dukeshin si vendase. Mjaftoi një telefonatë e kuestorit dhe skuadra e lëvizshme e policisë filloi hetimet. Nga hetimet rezultoi se dy vajza, që sapo kishin mbushur 18 vjeç, ishin rumune. Ato kishin rënë pre e shfrytëzimit seksual të bashkëkombësve të tyre, një prostitute rumune me karrierë të gjatë në profesion Ana Lavinia Trif-it, 25 vjeç, dhe vëllait të saj adoleshent,18 vjeç, Craciun Bogdan Trif (në foto), të cilit nuk i mjaftonin më paratë, që fitonte e motra duke ushtruar profesionin më të vjetër në botë. Për të rritur të ardhurat ai me të motrën me dhunë detyronin të prostituonin dy bashkatdhetaret e tyre. Të dy rumunet kishin mbërritur moshën madhore, 18 vjeç vetëm pak muaj më parë. Shqiptari Hasani, 23 vjeç, duke shfrytëzuar bukurinë fizike, arrin ta bëjë njërën nga prostitutat të bjerë në dashuri me të. Duke u hequr si i fejuar xheloz, i zbon me dhunë protektorët rumunë motër e vëlla, pasi prostituta Ana e kishte rrahur keqas dhe i kishte grabitur 500 euro rumunes, “e fejuara” e Hasanit. Pak kohë më vonë idili i dashurisë së Hasanit me bukuroshen rumune mbaroi. Ai e detyroi të dilte në rrugë, duke ndërruar vendin e punës nga zona e stacionit të trenit në Bolzano-jug. Nga shfrytëzimi i dy femrave Hasani arrinte të fitonte rreth 1000 euro në natë bruto. Ndërhyrja e policisë italiane ditën e parë të shkurtit i shpëtoi dy rumunet adoleshente nga shfrytëzimi dhe dërgoi në qeli shqiptarin Elsjdio Hasani si edhe prostitutën-tutore Ana Trif dhe vëllanë e saj tutorin Carciun Bogdan Trif.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





