DURRËS, 1 shkurt 2014 –Eder Marhila emigrant në Itali, me origjinë nga zona e Lezhës, disa herë radhazi ka pasur “punë” me drejtësinë “trengjyrëshe”. Gjithnjë ia ka hedhur paq, sepse gjyqtarët italianë i kanë dhënë dënime shumë më të buta sesa kanë kërkuar prokurorët. Në 26 tetor 2007 karabinieria organizoi një operacion antidrogë në qytetet e Riminit, Ricones dhe Katolikës, me qëllim finalizimin e hetimeve të kryera në periudhën janar-maj 2007. Ndër të arrestuarit ishte edhe shqiptari Eder Marhila, i cili në këtë kohë kishte në gjykatën italiane një çështje të hapur për vrasje, tentativë të shumëfishtë për vrasje dhe plagosje të rëndë të shumëfishtë. Çuditërisht, më 7 dhjetor 2007, Eder Marhila, bashkë me një tjetër shqiptar, mik i tij, dhe rumunen 21-vjeçare Alina Daniela Acrismaritei, u përfshinë në një sherr të përgjakshëm në klubin e natës “Babilon”, ku u përdor edhe një pistoletë. Prokuroria italiane kërkoi 13 vjet burg për Eder Marhilën me akuzën tentativë vrasjeje, ndërsa gjykata në tetor 2010 e dënoi vetëm me 4 vjet burg për armëmbajtje pa leje duke shpallur njëkohësisht të pafajshme zonjushën rumune. Ndërsa vazhdonin telashet me drejtësinë e Apenineve, Eder Marhila krijonte problem të tjera me policinë shqiptare. Duke gdhirë 20 gushti i vitit 2008 Eder Marhila dhe miku i tij Ernest Lorenci terrorizuan pushuesit në plazhin e Shëngjinit duke hapur zjarr me breshëri me kallashnikov. Për të dy këta persona policia e Lezhës bëri kallëzim për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike. Karriera e Eder Marhilës vazhdoi deri në 29 janar 2014, kur Gjykata e Kasacionit në Itali i zbuti dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Apelit në Bolonja, duke lënë në fuqi dënimin me 30 vjet burg të dhënë nga gjykata e shkallës së parë të Riminit. Dënimi ishte dhënë për një histori të vjetër të 24 dhjetorit 2006 (prag Krishtlindjesh), kur Marhila, duke ngarë një “Toyota Avensis” të vjedhur, kishte shtypur 5 persona, në tre incidente të ndryshme, brenda pak minutash. Një nga viktimat pensionistja Ester Meluci vdiq pasi makina e Marhilës i kaloi tre herë sipër trupit.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





