“Panorama Plus” shkruan sot per rikthimin ne Tirane te ish kryeministrit Fatos Nano dhe vendosjen e tij ne vilen luksoze ne Tirane.
1 shkurt 2014 – Vitin e kaluar, ata festuan 10 vjetorin e martesës së tyre në Tiranë, duke mbledhur miqtë e përbashkët pas shumë vitesh qëndrimi në Vjenë (Austri). Fjala është për ish-kryetarin e Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrin Fatos Nano dhe bashkëshorten e tij prej 11 vitesh, Xhoana Nano. Prej katër muajsh ata janë kthyer në Tiranë, duke nisur një jetë të re në vilën e tyre të sapopërfunduar në mjediset e një kompleksi luksoz që ndodhet në juglindje të kryeqytetit, në zonën e Petrelës.
Çifti i njohur, tashmë jashtë jetës publike për shkak të daljes së Nanos nga jeta politike aktive, sapo janë sistemuar ndërsa po shijojnë javët e para të rezidencës së tyre gjithë klas, e cila ndodhet në një kodër me gjelbërim. Paparaci ynë ka mundur të fotografojë vilën nga jashtë, e rrethuar me kangjella të veçanta, që e dallojnë nga vilat e tjera që ndodhen në këtë kompleks. Jashtë oborrit të vilës, në momentin e fotografimit ndodhej mercedezi i Nanos i parkuar, ndërsa në ambientet e brendshme shihej një qen i bardhë dhe një zonjë që kujdesej për vilën. Ndërsa për ta personalizuar rezidencën bie në sy gërma N në hyrje, që përfaqëson mbiemrin e familjes Nano.
“Vila Champagne”, zgjedhja e çiftit
Për të mësuar më shumë rreth shijes së çiftit Nano dhe stilit të vilës së tyre ku kanë vendosur të jetojnë, po ju zbulojnë disa detaje rreth arkitekturës që ata kanë preferuar. Nisur nga stili, vila e tyre mban emërtimin “Vila Champagne”, një nga rezidencat më të mëdha të ndërtuara në këtë kompleks (ka vetëm 25 të tilla dhe të gjitha të shitura), e cila llogaritet të jetë me sipërfaqe 1 mijë e 29 metra katrorë si ndërtesë, dhe 2400 metra katrorë, që është sipërfaqja e tokës rreth e rrothull vilës.





