TIRANË, 31 janar 2014 – Deputeti Mark Frroku i ka çuar një mesazh kërcënues ish- kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësia e Partisë Demokratike Laura Vorpsi.
“Partia Demokratike denoncon kërcënimin e drejtpërdrejtë që deputeti i mazhorancës Mark Frroku, i ka bërë dje deputetes Jozefina Topalli. Pas fjalës që ka mbajtur në parlament, zonja Topalli ka marrë nga deputeti Frroku një mesazh kanosës. Partia Demokratike e konsideron kërcënimin ndaj zonjës Topalli, si një shfaqje të asaj çka vetë zonja Topalli dhe Partia Demokratike denoncojnë prej kohësh, të futjes në politikë të personave të dyshimtë, të lidhur me aktivitet kriminal.”- deklaroi Vorpsi.
Ajo theksoi se deputeti Frroku duhet të sqarojë pozicionin me drejtësinë para se të kërcënojë një zonjë. “ Përpara se sa të shantazhojë një zonjë, deputeti Frroku do të bënte mirë të sqaronte pozicionin e tij me drejtësinë, pasi së fundmi sipas mediave belge, rezulton se ai ka çështje ende të hapura me gjykatat në Bruksel, për akuza të rënda, si ajo e vrasjes. Partia Demokratike nuk tërhiqet nga qëndrimet dhe denoncimet e saj ndaj politikës së inkriminuar, që ka arritur të depërtojë thellë në parlament, në mesin e deputetëve të shumicës. Ne e kemi për detyrë qytetare, dhe patriotike të mos pajtohemi me këtë situatë, dhe të qnëdrojmë në krah të oponionit publik që kërkon dhe meriton përfaqësim dinjitoz në parlament.”- u shpreh Vorpsi.





