DURRËS, 31 janar 2014 –  Përveç “pasionit” për lëndët plasëse si mjet hakmarrjeje, disa krutanëve në fshatra u pëlqejnë edhe thikat e koburet, gjë që ka detyruar komisariatin e rrethit të ushtrojë kontrolle. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njoftoi se më 30 janar 2014 ka bërë disa ndalime për armëmbajtje pa leje. Ora 23.00, u arrestua Ermir S.,  21 vjeç, banues në Fushë-Krujë; rreth orës 18.10, në Fushë Krujë, nga kontrolli i ushtruar në lokalin “Capo Nord”, u kap me një pistoletë moderne turke të markës “Ekol Special”, që është armë e shumëkërkuar në tregun e “nëntokës” dhe të terrorizmit, si dhe me krehrin me 6 copë fishekë luftarakë 9 mm (në foto). Ora 22.00, u arrestua Gëzim D., 22 vjeç, banues në lagjen “Grumbullim” Fushë Krujë; rreth orës 19.10, në qendër të Fushë Krujës, iu gjet me vete një përforcues metalik grushti. Ora 22.00, u arrestua në flagrancë Yll Z., 36 vjeç, banues në Fushë Krujë; rreth orës 18.10, në qytet, u kap me një thikë. Ora 22.30, u arrestua Fatbardh Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Derven (komuna Thumanë dhe jo bashkia Fushë-Krujë, sikurse thotë policia); rreth orës 18.10, te lokal “Eri” Fushë-Krujë, iu gjet me vete një thikë..

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/