Foto-fakt

·      Në drejtorinë arsimore rajonale të Durrësit nuk e dinë drejtshkrimin e shqipes, për më tepër që talentet i kanë shkollat jopublike

DURRËS, 22 janar 2014 –Fitues olimpiadash në matematikë në Durrës dalin talentet e shkollave jopublike, ku kryeson “Turgut Ozal”-i. Më 11 janar 2014 u zhvillua olimpiada e matematikës me pjesëmarrës nxënës të klasave të 10-ta nga të gjitha shkollat e drejtorisë arsimore rajonale (DAR) Durrës. Më 22 janar 2014 u shpallën fituesit e kësaj olimpiade. Me çmim të parë u nderua Endi Reka, nxënës i shkollës “Turgut Ozal” me 80 për qind të pikëve të mundshme. Çmimi i  tretë me 60 për qind të pikëve u takoi Klea Hajrullait së shkollës “Turgut Ozal” dhe Majorka Thanasit të “Rilindjes”. Gledis Kallço i shkollës “Turgut Ozal” mori po çmimin e tretë me 58 për qind të pikëve, ndërsa Aleksandër Ruci i shkollës “Turgut Ozal”, Ana Peçini po e shkollës “Turgut Ozal” dhe Grent Mustafa i shkollës “Mihal Ekonomi” morën çmimin e tretë me 56 për qind të pikëve. Bie në sy fakti, që të gjithë fituesit janë nxënës, që studiojnë në shkolla jopublike. Thjesht ky fakt është një tregues kuptimplotë, që dëshmon se ka probleme me trajtimin e nxënësve shumë të mirë në shkollat publike të DAR-it Durrës. Shpresojmë që ekipi i ri drejtues i arsimit në Durrës ta ketë parasysh këtë fakt dhe të marrë masat e nevojshme për përmirësimin e punës në shkollat publike në drejtim të nxënësve të talentuar në matematikë.

Shënim. Në vëmendje të drejtores së DAR-it Lindita Mukaj dhe për informimin e lexuesve

Në faksimilen e dokumentit për pjesëmarrësit në olimpiadën e matematikës, që po botojmë, i cili është hartuar nga DAR-i, ka gabime shtypi dhe drejtshkrimore (shihni “kokën”)!

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/