22 janar 2014 – Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni në një deklaratë për shtyp ka informuar për krijimin e Agjencisë Kombëtare për Bregdetin, e cila do të funksionojë në nivel rajonal dhe lokal. Sipas Gjermenit,  Agjencia do të financohet nga Ministria që ajo drejton, do të ketë 30 punonjës dhe synim ka mbrojtjen dhe zhvillimin e integruar të bregdetit.“Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit . Kjo i jep një tjetër hov nismave të ministrisë së Turizmit. Agjencia Kombëtare e Bregdetit do shtrihet në gjithë brezin bregdetar të Shqipërisë. Do të organizohet në nivel qendror dhe katër drejtori rajonale. Do ketë 30 punonjës që do të mbahen me shpenzimet e ministrisë. Synimi ynë është mbrojtja e zonës bregdetare, bashkërendimi i programeve lidhur me këtë zonë. Do garantojë zbatimin e politikave bregdetare. Kjo agjenci ndjek dhe respekton rregullat mbi pasurinë e pa tjetërsueshme. Me krijim e kësaj agjencie do krijohen kushtet për të bashkëpunuar me investitorë për zhvillimin e bregdetit. Do punojë ngushtësisht me njësitë e qeverisjes vendore”, u shpreh Gjermeni.