•        Shkurtohen fondet për arsimin dhe librat në krahasim me vitin 2013

DURRËS, 21 janar 2014 – Në projektbuxhetin e vitit 2014, që do t’i paraqesë “parlamentit” të qytetit bregdetar për miratim, bashkia e Durrësit, çuditërisht, ka shkurtuar me 3 055 000 lekë shpenzimet për mësonjëtoret (shih tabelën e nënvizuar të programit të arsimit) në krahasim me planin e vitit 2013. Po ashtu qeveria vendore i ka shpallur luftë edhe kulturës, sidomos librit.

Buka e fëmijëve

Bashkia e Durrësit administron aktualisht 6 kopshte me ushqim, 3 kopshte pa ushqim, 20 shkolla 9-vjeçare dhe 8 shkolla të mesme të përgjithshme, 2 konvikte të shkollave të mesme profesionale. Por në zërin për sigurimin e ushqimit të fëmijëve në kopshte shkurtohen 4 400 000 lekë (mbi 40 mijë dollarë). Dihet që Durrësi, për shkak të dyndjeve demografike, është ngushtë për kopshte (të paktën, duhen ndërtuar dhe 3-4 të tjera). Jo që nuk parashikohen objekte të tjera, shkurtohen shpenzimet për ushqim. E keqja është se në relacion nuk shpjegohen arsyet e shkurtimit të tillë drastik.

“Inkuizicion” modern

Është interesant fakti që në programin e kulturës ka një shkurtim prej 1 milion lekësh për projektet kulturore dhe artistike, si dhe 200 mijë lekë për pasurimin me libra të bibliotekës (shih tabelën). Kjo ndoshta, për të kompensuar rritjen e zërit të shpenzimeve për personelin prej 1 077 000 lekë. Mirë që nuk po zgjidhet investimi për ndërtesë të re biblioteke, herë pas here bie tavani (shih fotot), u vihet gërshëra lekëve për të blerë libra, gjë që dëshmon për paditurinë e skajshme të aparatit të bashkisë. Apo ky qëndrim duhet quajtur “inkuizicion” modern, ku në vend të druve të zjarrit, “digjen” paratë për libra. Logjika e donte të rriteshin shumë fondet për blerje librash, kur titujt janë shtuar dhe çmimet janë rritur, por bëhet e kundërta.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/