TIRANE, 21 janar 2014  – Në vitin 2011 mosha mesatare e popullsisë shqiptare është rritur me 15% krahasuar me vitin 2001, gjë që e bën vendin tonë shtetin me ritmin më të shpejtë të plakjes në Evropë. Të dhënat vijnë përmes një studimi të kryer nga "Open Data Albania", sipas të cilave, në vitin 2011 mosha mesatare e popullsisë shqiptare është 35.3, thuajse 5 vite më e moshuar se në vitin 2001, kur ishte 30.6 vjeç. "Në vitin 2001 Shqipëria kishte moshë mesatare 30.6 vjeç dhe në dekadën 2001-2011 popullsia është plakur me mesatarisht 4.7 vite. Në BE mesatarja e plakjes në këtë dekadë është 2.9 vite. Shqipëria ka një tregues të thelluar sa i takon diferencës së moshës mesatare në një dekadë. Ky tregues e rendit atë si vendin me plakjen në të shpejtë në Europë pas Lituanisë", thekson shoqata në një deklaratë të djeshme për shtyp. 
Prefekturat 
Mosha mesatare në Shqipëri në vitin 2011 qe 35.3 vjeç, por Gjirokastra, Korça, Berati, Fieri e Vlora kishin popullsi më të moshuar se sa mesatarja kombëtare ndërsa prefekturat e tjera kishin moshë më të re. Mosha mesatare e banorëve të Tiranës qe 34.5 vjeç, ndërsa e Durrësit, 34.6 vjeç. "Nëse mesatarja kombëtare e moshës është 35.3 vjeç, disa prefektura shfaqin moshë mesatare më të plakur. Konkretisht Gjirokastra (mesatare 39.69 vjeç), Korça, Berati, Fieri dhe Vlora kanë mesataren e moshës së popullsisë më të lartë se 35.3 vjeç", thekson në raport "Open Data Albania". Plakja e popullsisë mes viteve 2001 dhe 2011 lidhet me numrin e fëmijëve të lindur gjatë kësaj dekade dhe emigrimit masiv të të rinjve. Por edhe jetëgjatësia mesatare ka një rol të rëndësishëm. Kombinimi i lindshmërisë së ulët me normë të lartë të emigrimit sjell plakje më të shpejtë të popullsisë. Lindshmëria e lartë në Dibër e Kukës ka arritur ta mbajë popullsinë relativisht të re, pavarësisht emigrimit masiv. Për shkak të mungesave të të dhënave mbi jetëgjatësinë mesatare sipas qarqeve në Shqipëri, nuk është e mundur të shihet se sa efekt ka ky faktor në plakjen e popullsisë. 
Shqipëria 
Shqipëria në vitin 2011 vijonte të kishte popullsinë me moshë më të re në kontinentin Europian me përjashtim të Turqisë, Irlandës dhe Islandës. Ritmi i plakjes së popullsisë shqiptare gjatë dekadës së fundit ka qenë më i larti në kontinent, me përjashtim të Lituanisë. Prefektura më e plakur në Shqipëri rezulton Gjirokastra, me moshë mesatare 39.7 vjeç, ndërsa prefektura më e re është Kukësi me moshë mesatare 30.2 vjeç. Popullsia e Shqipërisë pati moshë mesatare prej 35.3 vjeç në vitin 2011, ndërsa mesatarja e 27 vendeve anëtare të BE-së qe 41.2 vjeç. Në vitin 2001, Shqipëria kishte moshë mesatare prej 30.6 vjeç ndërsa Bashkimi Europian e kishte 38.3 vjeç. Gjatë kësaj dekade, popullsia në tërësi është plakur me mesatarisht 4.7 vjet në Shqipëri, ndërsa në BE është plakur me 2.9 vjet.

/Gazeta Shqiptare/