TIRANE, 21 janar 2014 – Rritet niveli i papunësisë në vend. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit që lamë pas, niveli i papunësisë në vend arriti në 16.9 për qind. Kundrejt tremujorit të mëparshëm, niveli i papunësisë është rritur me 1.1 %.
 Sipas shifrave te INSTAT në të gjithë vendin janë rreth 190 mije persona të papunë, por realisht ky numër mund  të jetë edhe më i madh, pasi jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.  Shkalla e papunësisë eshtë më e lartë për meshkujt sesa për femrat, përkatësisht 19,3 % dhe 13,7 %. Ndërkaq problematike situata paraqitet tek të rinjtë. Për moshat nga 15 deri ne 29 vjeç shkalla e papunësisë vlerësohet ne 26,9 %, ndërsa për popullsinë nga 30-64 vjeç është 14 %.