· Lëkundjet në Sukth ndihen në qytetin bregdetar, Ishëm, Maminas, Vorë, Shijak, Katund të Ri, Manzë, Rrashbull
DURRËS, 21 janar 2014 –Nuk mjaftuan mbi 40 lëkundjet e forta dhe pasgoditjet e fillimjavës, 20 janar 2014, por tërmetet nuk po e lënë rehat qytetin bregdetar, pasi ato janë bërë si ilaçet: një para gjumit dhe një pas gjumit. E marta, 21 janar 2014, zgjoi durrsakët qysh në orën 6 pa 10 dhjetë [4:51:50 (GMT ) ose 5:51:50 (koha e Shqipërisë plus një orë)] me një tërmet mesatar me forcë M=3.6 dhe epiqendër në thellësinë 14 km, thotë rrjeti sizmologjik shqiptar. Dukuria tektonike është lokalizuar në qytetin / bashkinë e Sukthit në koordinatat 41.38°V, 19.54°L (shih etiketën në hartën nr. 1, ora jepet sipas kohës së Londrës, një orë pas asaj të Shqipërisë). Më saktësisht ngjarja sizmike ka ndodhur në një kopsht afër lumit të Erzenit, në një zonë të dendur me banesa (shih foton satelitore me Google Earth, shigjeta e gjelbër). Banorët i ka kapur paniku, për më tepër që dikush flinte ende, sidomos fëmijët dhe dikujt sapo i kishte dalë gjumi. Nga ana tjetër, në mbrëmje vonë, më 20 janar 2014 ora 22:14:22 (GMT) ose 23:14:22 (koha e Shqipërisë plus një orë), u tronditën nga një tërmet i lehtë me forcë M=2.7 dhe epiqendër në thellësinë 18 km. Është lokalizuar pak më në verilindje të Erzenit, në Vadardhë, në koordinatat 41.4°V, 19.55°. Ishte kohë gjumi për fëmijët, ndërsa të rriturit, që mund të merren me punë bujqësore, mund të kenë rënë herët dhe janë zgjuar nga zhurmat brenda shtëpisë. Lëkundjet e mbrëmjes së 20 janarit dhe mëngjesit të 21janarit janë ndier dhe në Ishëm, Maminas, Vorë, Shijak, Katund të Ri, Manzë, Rrashbull e Durrës. Organet kompetente nuk kanë njoftuar për viktima apo dëme materiale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





