21 janar 2014 – Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, gjatë një deklarate për shtyp shpjegoi nismat për ndalimin e sulmit të maxhorancës ndaj ILDK-së, dhe për rrëzimin e kërkesës së opozitës për komision hetimor mbi manipulimin e të dhënave tatimore. Bylykbashki theksoi se Mazhoranca po shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e parlamentit për t'ia arritur këtij qëllimi.
"Partia Demokratike ka dorëzuar dje dy kërkesa në Gjykatën Kushtetuese kundër përshkallëzimit të veprimtarisë antikushtetuese dhe arrogante të qeverisë Rama-Meta. Së pari, Partia Demokratike ka kërkuar shpalljen si antikushtetuese të sulmit të hapur ndaj institucionit të pavarur të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive të qeveritarëve si dhe të përpjekjeve të paligjshme për shkarkimin e kreut të këtij institucioni. Me shkarkimin e kreut te ILDKP, Rama dhe Meta po kërkojnë me çdo kusht të marrin nën kontroll këtë institucion të pavarur në mënyrë që të fshehin pasuritë e paligjshme dhe aferat korruptive të tyre dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Mazhoranca po shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e parlamentit për t'ia arritur këtij qëllimi. Duke ditur se Kushtetuta dhe Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk lënë hapësirë për këto sulme ndaj një institucioni të pavarur, kjo maxhorancë ka orkestruar një sulm me fletërrufe nga kolektivi i punonjësve dhe ka ngritur një grup kontrolli të paligjshëm që nuk e njeh as Kushtetuta dhe as Rregullorja e parlamentit.
Gjithashtu, Partia Demokratike ka kërkuar të shpallë si antikushtetues vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndërhyrjen e paligjshme të njerëzve të Kryeministrit në sistemin kompjuterik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe zhdukjen e miliona të dhënave dhe deklaratave të subjekteve tatimore. Me arrogancë, maxhoranca ia mohoi opozitës këtë të drejtë kushtetuese, të cilën Gjykata Kushtetuese e quan si një instrument të fuqishëm kontrolli të opozitës mbi qeverinë dhe mazhorancën. Këto dy raste tregojnë dy standarde të maxhorancës Rama-Meta. Ata kërkojnë që t'i mohojnë opozitës të drejtën për hetim parlamentar, kur vetë çirreshin se po u cënohej kjo e drejtë, edhe pse u është pranuar çdo kërkesë për hetim parlamentar sipas kushtetutës. Ata rrëzojnë kërkesën e opozitës me justifikimin se po heton prokuroria, ndërkohë kontrollin e paligjshëm mbi ILDKP e kryejnë paralel me nje hetim të prokurorisë", u shpreh Bylykbashi.





