·      Krutanët janë më “danoçët”, me 13 për qind të debitorëve kanë 40 për qind (70 milionë dollarë) të totalit të vlerës së papaguar CEZ-it

·      Një debitor kavajas ka borxh 1,8 herë më pak se mesatarja e rajonit dhe 5.75 herë më pak se një krutan  

DURRËS, 19 janar 2014 Ndonëse qyteti i Durrësit ka 50 për qind të debitorëve të energjisë elektrike, atë e “mund” rrethi i Krujës me 13 për qind të debitorëve, pasi ata të qytetit bregdetar kanë borxh 6 081 464 708 lekë ose 33 për qind të totalit Durrës-Krujë-Shijak-Kavajë, kurse “danoçët” e Krujës kanë 7 352 512 499 lekë borxh, që përfaqsojnë 40 për qind të totalit prej 18 384 237 972 lekë (mbi 178 milion dollarë amerikanë).

TREGUESI BORXHI NË LEKË PËR 1 DEBITOR

Sipas raportimit që u bë në mbledhjen e parë të njësisë operacionale të task-forcës, në prani zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, nga drejtoria rajonale e ÇEZ Shpërndarjes sha, energjia e konsumuar për periudhën mars-dhjetor 2013 është arkëtuar në 79 për qind. Nivelin më të lartë të arkëtimeve e ka agjencia e Durrësit me 90 për qind, pasuar nga ajo e Kavajës me 87 për qind, e Shijakut me 74 për qind dhe në fund e Krujës me 37 për qind. Një analizë e bërë nga “Dyrrah”-u nxjerr se në total janë 18 384 237 972 lekë debi me 17 051 debitorë (janë mbledhur bashkë si ata privatë, buxhetorë dhe jobuxhetorë) ose mesatarisht 1 078 191 lekë për një debitor. Agjencia Durrës ka 6 081 464 708 lekë të paarkëtuara nga 8 552 debitorë ose mesatarisht 711 116 lekë për një debitor. Agjencia Shijak ka 2 821 670 350 lekë borxh me 2 601 debitorë ose mesatarisht 1 084 840 lekë për një debitor. Agjencia Krujë ka gjithsej 7 352 512 499 lekë me 2 213 debitorë ose mesatarisht 3 322 418 lekë për një debitor. Kurse agjencia Kavajë ka borxh 2 128 589 414 lekë me 3 685 debitorë ose mesatarisht 577 636 lekë për një debitor.

TREGUESIT NË RAPORT ME KRUJËN

Nisur nga mesatarja e borxhit për çdo debitor, Kruja është mbi mesataren e rajonit, kurse Kavaja 1,8 herë nën mesataren. Në raport me Krujën për mesataren e borxhit për 1 debitor, Kavaja është 5,75 herë më e “lehtë”, Durrësi 4.6 herë dhe Shijaku 3 herë. Dhe shifrat bëhen më kureshtare kur mëson se numri i debitorëve në raport me Krujën në Durrës është 3.86 herë më i lartë, në Shijak 1.17 herë dhe në Kavajë 1.66 herë. Përqindja e numrit të debitorëve sipas agjencive ndaj totalit, në Durrës është 50, Shijak 15, Krujë 13 dhe në Kavajë 22 për qind. Shpërpjestimi është i dukshëm kur llogarit përqindje e borxhit sipas agjencive ndaj totalit: Durrësi 33, Shijaku 15, Kruja 40 dhe Kavaja 11 për qind. Ndoshta kjo analizë duhej t’i shërbejë si task-forcës së Prefektit ashtu dhe drejtorisë rajonale të ÇEZ Shpërndarjes sha për të ndërtuar strategjinë e arkëtimeve, duke bërë dallimin midis debitorëve “veteranë” dhe atyre “të freskët”, bizneseve që paguajnë sa një familjar, debitorëve buxhetorë dhe jo-buxhetorë.

Info / Zonat më “hot” për mospagim korrenti

·      Agjencia Durrës: zona industriale Shkozet-autostradë, Plazh në stinën e verës, bizneset në qytet.

·      Agjencia Shijak: fshatrat Rrushkull, Fllakë, Sukth, Katund i Ri.

·      Agjencia Krujë: Nikël-Thumanë.

·      Agjencia Kavajë:fshati Qerret dhe zonat turistike.