DURRËS, 19 janar 2014 – Specialisti i një ndërmarrjeje shtetërore, Ujësjellës Kanalizimet Durrës (UKD) sha, që administron faqen e vet zyrtare “ukdurres.com” (shih faksimilen), përdor faqe facebook-u me të njëjtin emër “facebook.com/pages/Ujesjelles-Kanalizime-Durres/130916910407379” (shih faksimilen), gjë për të cilën është pushuar nga puna. Ndërkaq e përditshmja “Gazeta shqiptare”, e blerë nga një biznesmen afër opozitës aktuale, në numrin e saj të 19 janarit 2014, ka evidentuar në faqen e parë (shih faksimilet) si scooplajmin me titull “Përdor “Facebook”-un, shkarkohet nga puna specialisti i Ujësjellësit”.

Scoop”-i

Sipas së përditshmes, një punonjës i ujësjellës-kanalizimeve në Durrës ka humbur vendin e punës për shkak të përdorimit të “Facebook”-ut gjatë orarit zyrtar. Sipas vendimit të siguruar nga “Gazeta shqiptare” specialisti pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Konsumatorin Boris Sopi “ka shkelur ligjin ‘Për rregullat e etikës në administratën publike’ me përdorimin e rrjetit social”. Dy argumentet kryesore që rendit drejtori i përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, Spartak Kovaçi në këtë vendim ta pazakontë janë: “përdorimi i rrjeteve sociale gjatë orarit të punës; shfaqja e pikëpamjeve politike dhe bërja publike e fotove në rrjetet sociale me logon e shoqërisë dhe brenda vendit të punës”, ç’ka sipas tij kanë sjellë rënie të efiçencës së detyrave funksionale të ngarkuara ndaj specialistit të ZMK-së, Boris Sopi. Në pamje të parë duket se kemi të bëjmë me një vendim të mbështetur tërësisht mbi bazë ligjore. Por nuk rezulton kështu nëse për referencë marrim pikërisht ligjin Nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, mbi të cilën është mbështetur për këtë vendim të pazakontë Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, Spartak Kovaçi. Në asnjë nen të ligjit nuk sanksionohet se “përdorimi i rrjeteve sociale” mjafton si argument për shkarkim nga puna, përfundon “Gazeta shqiptare”.

E drejta

Dy gjëra duhen vënë në dukje: së pari, në vitin 2003 nuk mund të flitej për rrjete sociale. Së dyti, i ndëshkuari ka të drejtë të shprehë simpatitë politike, nostalgjitë në faqen e vet në “Facebook” me emrin Boris Sopi (shih faksimilen), por nuk ka të drejtë të përdorë logon e punëdhënësit të vet në “Facebook”, të mbushur me foto të ish-drejtorit dhe ish-Kryeministrit. Nga ana tjetër, administrata e kompanisë publike UKD sha mund të ndërhyjë pranë “Facebook”-ut për bllokimin e faqes që administrohet në emër të UKD-së nga Boris Sopi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/