Krijohet njësia operacionale vendore e Task-Forcës për energjinë elektrike nën drejtimin e Prefektit Roland Xhelilaj


DURRËS, 18 janar 2014 – Durrësi i shkakton shtetit shqiptar 150 milionë dollarë humbje nga vjedhja dhe mospagimi i dritave, ndërkohë që qeveria nuk ka ku të gjejë para, pasi edhe pronat publike strategjike janë privatizuar. Prandaj ekzekutivi shqiptar i është “qepur” këmba-këmbës uljes së humbjeve në rrjet dhe arkëtimit të energjisë së faturuar. Në mesditën e fundjavës, të shtunën, më 18 janar 2014, në sallën e mbledhjeve të institucionit të Prefektit të qarkut Durrës-Krujë, u krijua njësia operacionale vendore e Task-Forcës për energjinë elektrike nën drejtimin e Prefektit Roland Xhelilaj, i cili mbajti një raport ku vihej në dukje situata e rëndë. Kjo dukej dhe me pjesëmarrjen e Niko Peleshit, “mëkëmbësit” të Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, kryetarit të këshillit mbikëqyrës të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike Pajtim Bello.

Fill pas prefektit Xhelilaj raportoi drejtori i drejtorisë rajonale Durrës për ÇEZ Shpërndarjen sha Shkëlqim Troplini, 46,65 për qind e energjisë humbet ose vidhet. Ndërsa vlera gjithsej e detyrimeve të papaguara, përfshirë dhe familjarët, për katër agjencitë së bashku të Durrësit, Krujës, Kavajës dhe Shijakut, arrin në 18.4 miliardë lekë. Meqenëse mbledhja do të vazhdohej pa parninë e medieve, e mori fjalën ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, i cili tha se situata e energjisë elektrike dhe pagesës së faturave është mjaft alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Krahas vjeljes së debive një tjetër pikë, në të cilën kërkohet ndërhyrja më e madhe, është evidentimi i hartës së zonave në të cilat nuk i faturohet prej vitesh energjia, apo edhe vjedhin nëpërmjet lidhjeve të paligjshme.

Kurse zëvendëskryeministri Niko Peleshi, në cilësinë e kryetarit të Task-Forcës për energjinë elektrike, deklaroi se “krijimi i njësive vendore operative për zgjidhjen e problemit të pagesave të energjisë elektrike nuk do të jetë një fushatë presioni, por një veprimtari e vazhdueshme”. Sipas numrit dy të kabinetit qeveritar, “ngritja e kësaj strukture synon shëndoshjen e financave të vendit dhe sfidën ndaj mentalitetit të gabuar se shteti është kundër qytetarëve. Çdo vit, vendi ynë humbet 150 milionë dollarë nga abuzimi me energjinë elektrike, me të cilat mund të ndërtoheshin shkolla dhe rrugë të reja, -tha Peleshi. – Në këtë sfidë ne kemi pranë prokurorinë dhe policinë e shtetit, u bëjmë thirrje edhe gjykatave të mbështesin veprimtarinë e Task-Forcës”. Peleshi shtoi se “kjo Task-Forcë duhet patjetër të lërë gjurmë në punën e saj dhe të thyhet përfundimisht mentalitetit se energjia është e shtetit dhe nuk e paguajmë. Puna e Task-Forcës nuk duhet të konsiderohet vetëm si fushatë por si një punë e vazhdueshme”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/