Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun zhvilloi analizën e saj vjetore
DURRËS, 17 janar 2014 – Gjatë vitit që sapo u mbyll, blutë e qarkut Durrës-Krujë kanë regjistruar 2 953 vepra penale. Më 17 janar 2014, drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë zhvilloi analizën e saj vjetore për vitin 2013. Ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako, prefekti i qarkut Durrës Roland Xhelilaj, prokurori i rrethit Besim Hajdarmataj, drejtori i SHISH-it Durrës Tonin Prendi, drejtues dhe efektivë të strukturave policore. Para fillimit të analizës, përballë interesimit të medieve, Tahiri tha se zbardhja e vrasjes së Astrit Gjepalit dhe të kunatit të tij paraqitet tejet e ngatërruar për vetë aktivitetin kriminal që ka pasur Astrit Gjepali. Ndërkohë Ministri i Brendshëm deklaroi se po punohet intensivisht në lidhje me zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Në materialin e paraqitur në analizë, u referua mbi dinamikën, rezultatet dhe punën e bërë nga secila strukturë në funksion të përmbushjes së detyrimeve ligjore; objektivat për të ardhmen, propozimet në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimit policor dhe afrimit me komunitetin. U tha se gjatë 2013-ës në qark janë evidentuar 2 953 vepra penale dhe janë zbuluar 2 405, ose 81 për qind e tyre. Në kryerjen e këtyre veprave penale janë implikuar 2 511 autorë, është marrë masa e arrestit në flagrancë për 645 autorë, ndaluar 27, janë ndjekur në gjendje të lirë 1 631 autorë veprash penale, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim 208 autorë. Pasi u lexuan disa statistika, mbledhja vazhdoi pa praninë e gazetarëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





