DURRËS, 17 janar 2014 – Gjatë vitit 2013, kryesisht në pikën e kontrollit të kalimit kufitar në terminalin e trageteve në portin nr. 1 të vendit, janë kapur dhe sekuestruar 5 tonë e 457 kg lëndë narkotike, nga të cilat 5 tonë 428 kg e 403 gramë kanabis, 15 kg e 548 gramë marijuanë e presuar çokollatë, 12 kg e 934 gramë heroinë dhe 123 gramë kokainë, u tha më 17 janar 2014 në analizën vjetore të drejtorisë së policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë. Sipas raportimit, për prodhim dhe shitje droge janë evidentuar 79 vepra penale, nga të cilat u zbuluan 66. Sektori antidrogë piketoi 98 autorë,nga të cilët arrestoi 81 persona, ndaloi 1, ndjek në gjendje të lirë 10 të dyshuar, kurse 6 veta janë shpallur në kërkim. Forcat e rendit kanë goditur grupet kriminale “Kola”, “Shkupi”, “Bovilla”. Në operacionet e koduara “Pritje e gjatë” u arrestua një shtetas dhe u sekuestruan 10 kg e 824.4 gramë kanabis; “Rikthimi” u arrestua një shtetas dhe u sekuestruan 50 kg e 315.7 gramë kanabis; “Bovilla” u arrestuan 7 veta dhe u sekuestruan 1 kg e 428.8 gramë kanabis. Në rrethin e Krujës, përveç rasteve të kultivimit në tokat e tyre të bimës narkotike, autorët përdorin si metodë edhe kultivimin në toka pa pronar, në zona shumë të thella, malore, mes bimësisë me shkurre, gjë e cila vështirëson shumë dokumentimin e autorësisë për këto vepra penale. Për këtë qëllim janë realizuar operacionet e koduara “Albanopulos”, “Verjon-2013”, “Përroi i pyllëzuar”, “Rrëzë Malit”, “Shqeza-2013”, “Shkreta 2013”, “Shkolla e gjelbër”, “Pishat e buta”, “Kroi i gjarprit”, “Brret 2013”, “Rrëzë Malit 2”, ku janë asgjësuar 12 567 rrënjë kanabis.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/