16 janar 2014 – Gazeta Panorama shkruan se në grupin e “komandove” që u grabitën 100 mijë dollarë kambistëve në Durrës, është edhe një femër. Grupi hetimor ka arritur në këtë rezultat pas studimit të pamjeve të siguruara nga kamerat e subjekteve rreth vendit të ngjarjes. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se provat materiale të administruara në brendësi të automjetit që u përdor për grabitjen, si dhe gjurmët e lëna, po çojnë drejt identifikimit të autorëve.
Në sajë të hetimeve të kryera, policia ka hedhur dyshime se “komandot” kanë kryer edhe grabitje të tjera.“Dyshojnë që ky grup i mirorganizuar kriminal ka kryer disa grabitje, kryesisht kambistë, por edhe argjendari e biznese”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. Teksa u kanë bërë një analizë të thellë ngjarjeve të ndodhura gjatë kohëve të fundit në Durrës, si dhe duke u bazuar te mënyra e veprimit, hetuesit dyshojnë se kanë të bëjnë me të njëjtën dorë.
Këto dyshime policia i ka ngritur pas ekzaminimit të pamjeve filmike të sekuestruara nga disa biznese pranë vendit ku ndodhi grabitja e fundit, por edhe të tjera pamje të siguruara nga grabitjet e mëparshme…





