16 janar 2014 – Dy të vrarë dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i të shtënave me armë zjarri në fshatin Gosë në Kavajë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 minuta pranë Rrogozhinës, në vendin e njohur si ‘Lapidari’, ku mes të vrarëve është dhe një eksponent i njohur i botës së krimit, shtetasi Astrit Gjepali. Viktima Astrit Gjepali ishte i njohur si anëtar i ish-bandës së Durrësit, ndërsa dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Durrësit. 

Astrit Gjepali ishte me leje disa ditore, sepse ishte dënuar me 25vjet burg  për "vrasje" dhe në momentin e krimit, ndodhej në një automjet me disa miq të tij nga Durrësi. Sipas uniformave blu, ka qenë ky momenti kur një automjet tjetër është afruar dhe ka qëlluar në drejtim të makinës së Gjepalit, me breshëri automatiku. Raportohet se ka ndëruar jetë Gjepali dhe kunati i tij Halil Fici  i cili ndodhej në automjet, ndërsa të plagosur kanë mbetur dy persona, një prej të cilëve një kalimtar. Gjepali kishte përfunduar lejen dhe po kthehej në burgun e Peqinit.

Vrasjet nga Banda e Gjepalit 
Anëtaret e bandës kryesuar nga Gjepali janë akuzuar nga Prokuroria se vetëm brenda 24 orëve, në datat 15 dhe 16 shtator të vitit 1997, kanë vrarë pesë persona dhe kanë plagosur disa të tjerë. 
Veç vrasjeve të bëra në Durrës, Prokuroria i ka faturuar Gjepalit edhe një ekzekutim të ndodhur në Zvicër. Ylli Majaci është ekzekutuar rreth orës 19:40 më 23 mars 1993 në Zyrih. Prokurorët e kanë cilësuar grupin e drejtuar nga Gjepali, ku bënte pjesë edhe Bashkim Haxhia, si “tmerrin” e zonës së Shijakut. 

“Kryerja e vrasjeve fillimisht në Durrës e më pas në fshatrat përreth në një kohë të shkurtër dhe pa arsye vërteton se Gjepali ka pasur si synim krijimin e terrorit në rrethin e Durrësit”, janë shprehur prokurorët. Një prej viktimave të grupit të Gjepalit ishte Luan Plaku. Ai po udhëtonte me makinë së bashku me një mikun e tij, të quajtur Altin Çuka. Astrit Gjepali dhe Naim Qerimi i kërkuan makinën. Kur Luan Plaku nuk e dorëzoi mjetin, ata e kanë vrarë. Pasi kanë rrëmbyer disa makina, të akuzuarit kanë shkuar për t’u hedhur karburant. Kanë mbushur makinat dhe kanë vrarë punonjësit që u kërkonin paratë e naftës. Efektivi i policisë është vrarë më vonë, pasi Gjepali e kishte thirrur për t’i thënë se “i kishte inat policët”, thuhet në dosjen e akuzës.