Rama poshtë, burri përtokë

Me sa duket, në Kosovë është e ndaluar të thuash “Poshtë Rama”. U desh mbledhja e dytë e Prizrenit (edhe pse ironikisht, një të Dytë thonë se e patën bërë kolaboracionistët në kohë të luftës, çfarë do e bënte këtë të Tretën) që të na tregonte sesi policia e Thaçit të shemb përdhe, të ve prangat e të zhvendos me dhunë për një fjalë goje. Nga aq sa munda të kapja, burri i vjetër thjesht po fliste. Nuk m’u duk se po tentonte një atentat apo po gjuante me vezë a miell. Po shante, dhe madje as me fjalë të pista. Po shante me fjalën më të përdorur të fjalorit politik ndërkombëtar “poshtë…”.

Por, qëlloi që Ramën po e ruante policia e Thaçit.

Thaçizmi, si “berishizëm” i lodhur

Nuk besoj se shprehja “thaçizëm” do të marrë ndonjëherë jetë në fjalorin politik shqiptar. Thjesht se fenomeni, nuk ekziston. Thaçizmi (i parë nga këtej perdes) duket si një version “light” i “berishizmit”. Qendrimi në pushtet për 14 e kusur vjet, imitimi një më një i “21 janarit” tonë para do kohësh me protestuesit e Vetëvendosjes, loja politike në kurriz të kombit vetëm për të mbijetuar vetë (ndoshta edhe Hagës). Nuk më habit fare sesi kjo frikë nga ndërkombëtarët, çka mund t’i kish dhënë dhe një Nobel për frikë, pardon për paqe bashkë me homologun e vet serb, “brenda vendit” përkthehet në një frymë brutale, si ajo që shfaqen policët e Thaçit ndaj një burri plak që bërtiste poshtë Rama.

Pas thaçizmit, ramizmi?

“Poshtë Rama”, nuk është fjali e ndaluar e as krim. Është shumë e lehtë të ngresh një shtet që kap të lodhurin, të plakurin, të pafuqishmin, të pambrojturin e të vetmuarin, prej leckash dhe e flakin larg rrugës ku kalojnë “të mëdhenjtë”. Kjo është shenjë burrash të vegjël që përdorin shtetin për t’u dukur të fortë, dhe sigurisht nuk ka të bëjë me demokracinë e as me perëndimin. Do isha shumë kurioz nëse policia jonë do ia kthente nderin Thaçit nëse del dikush që bërtet “poshtë…” kur të na kthejë vizitën. Sikurse jam kurioz të di edhe si ndjehet Rama, jo kur e shajnë, sepse kjo është normale për çdo lider botëror, por kur sheh një plak të hequr zvarrë për hatër të tij.

Berishizmi, ekziston si term dhe për faktin që deri më sot është një standart demokracie, është frymë dhe praktikë. Mediat, i dhanë të njëjtën hapësirë pyetjes së Thaçit “ a thnihet” dhe burrit që bërtiti “poshtë …”

Aq shumë jemi mësuar me të, sa askush, as Rama, nuk arrin dot ta shikojë, ose bën sikur nuk e sheh kur e ka përballë.

http://gazetadita.al/kur-te-ruan-policia-e-thacit/