14 janar 2014 – Drejtoria e Agjensisë Kombëtare të Ushqimit ka caktuar dhjetë ditë kohë për të gjithë tregtarët në tregun e frutave e perimeve dhe atë të bulmetit në Durrës si kohë e mjaftueshme për të normalizuar gjendjen e atyshme higjeno-sanitare. Inspektorët kanë kaluar këto ditë të gjithë tregun dhe kanë parë nga afër gjendjen duke u ndaluar, sipas burimeve, tek higjena dhe kushtet e tregtimit. Çështja nuk është thjeshtë tek mungesa e ujit, apo edhe grumbullimi mbeturinave në përfundim të tregu. Kreu AKU, Altin Myrto, ka nxjerrë në terren të gjithë inspektorët duke kërkuar informacione të detajuara lidhur me kushtet e tregtimit të frutave, perimeve, bulmetit dhe mishit. Vetëm dy ditë më parë përfaqësues të AKU-së në Durrës kanë inspektuar tregun e bulmetit që gjendet brenda tregut të përditshëm të fruta-perimeve. Janë rreth 40-45 persona, të cilët janë të licensuar dhe paguajnë detyrimet ndaj bashkisë në këtë treg. Inspektorët dhe as Myrto nuk kanë dalë me ndonjë komunikim zyrtar lidhur me sa është vënë re në atë treg dhe as me penalitetet duke pritur periudhën dhjetëditore të reagimit të tregtarëve. Në mënyrë të përsëritur tregu, sidomos ai i bulmetit, ka qenë në epiqendër të kontrolleve dhe vërejtjeve. Më së shumti pakënaqësia e specialistëve ka anuar në drejtim të cilësisë së produkteve që afron ky treg, por jo rrallë herë edhe higjena e vet tregut. Një pjesë e kontrollorëve kanë parë etiketat e përdorimit të mallit, kushtet e ruajtjes, higjenën, magazinimin, origjinën e produktit, licensën etj.,ndërkohë që më së shumti i është kushtuar kohë e kujdes standarit të produktit blegtoral e ushqimor të çdo lloji, kryesisht atyre që kërkojnë kujdes nga ekspozimi në temperaturë të larta. Në disa raste, gjatë kontrolleve të mëparshme, ka rezultuar se djathi i prodhuar me amidon është tregtuar për djathë të freskët të prodhuar nga qumështi. Ka mjaftuar një pikë jodi në një fetë djathi për të vërejtur mashtrimin. Në rastin kur djathi merr ngjyrë blu të errët dhe jo ngjyrën e jodit atëherë djathi është me përbërje amidoni, shenjë dalluese lehtësisht nga ekspertë të fushës. Inspektorët, sipas pohimit të tregtarëve, kanë mbajtur shënime dhe janë interesuar deri në detaj për çështje të cilat kanë të bëjnë me detyrimin e sigurimit të cilësisë së mallit të tregut dhe të garantimit të jetës së konsumatorit. Ekspozimi produkteve në diell, mungesa e ujit, papastërtia në pikën e shitjes, heqje e etiketës së mallit, mungesë të fletanalizës, si dhe uniforma e tregtarëve është bërë objekt vëzhgimi. Për çdo rast shitësi produktit krahas detyrimeve të tjera, duhet të ketë bluzë dhe kapelë në kokë gjatë kohës së punës. Gjithnjë sipas tregtarëve të gjithë shitësit që nuk përmbushin kushtet higjeno-sanitare u është lënë 10 ditë afat që ta zgjidhin këtë problem, ndryshe tregu do të mbyllet deri në plotësimin e kushteve. Nga ky treg ku shitet djathë, gjizë, gjalp, kos e qumësht furnizohet një pjesë e mirë e popullatës së qytetit, ndaj edhe AKU synon ta ketë nën disiplinë të plotë e të vazdhueshme tregun e bulmetit.
Thertoret
Qarku i Durrësit vazdhon të ketë prej vitesh shumë problematike çështjen e therjes së bagëtive për tregun e konsumatorëve të mishit. Janë fare pak dyqane mishi që plotësojnë standartet, ndërsa pjesa dërmuese mishin e therin në lokal, para lokalit, në baltë e pluhur, në sy të kalimtarëve. Durrësi ka laborator të analizave për mishin, bulmetin, pijet, ujin etj dhe të çertifikuar nga ndërkombëtarët. Por vetëm një pjesë e tregtarëve të rregullt dhe supermarketeve dëshmojnë interesim në këtë drejtim. Në bazë të rregullave veterinere asnjë therje normale nuk mund të realizohet nëse nuk është kryer parakontrolli, veprim që nuk ka ndodhur asnjëherë në këtë kategori tregtimi. Telash më vete është edhe transporti mishit të therur i cili kryhet pa më të voglin kusht, jashtë çdo standarti. Qeveria e cila e dorëzoi mandatin e saj në qershor, pati deklaruar se në shkallë vendi do të ndërtohen dhe se ishin kaluar fondet pranë Ministrisë së Bujqësisë për ndërtimin e 40 pikave të therjes së bagëtive në përmbushje me detyrimet dhe standartet. Madje u fol se ishte Banka Botërore ajo që do të jepte 10 milion euro për thertoret, ndërkohë që në Durrës nuk është bërë asnjë investim në këtë drejtim. Durrësi konsumon mesatarisht 15 mijë ton mish e peshk por fare pak, për të mos thënë një përqindje e papërfillshme e mishit të therur kalon në linjën e duhur. Për shumë vite AKU është marrë vetëm me propagandë duke mos mundur të vërë në udhën e zgjidhjes këtë çështje, ndërsa e njëjta barrë i ka rënë edhe krerëve të rinj të AKU-së të cilët do të duhet të ndërmarrin një sërë inspektimesh në terren për të parë se çfarë ndodh realisht.
Xhevahir Gradica http://bulevardionline.com/dhjete-dite-kohe-per-higjenizimin-dhe-kushtet-ne-tregun-e-bulmetit-dhe-fruta-perimeve/





