TIRANE, 14 janar 2014 –Autobusi me të cilin kryeministri, Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar udhëtuan drejt Prizrenit në datën 11 janar rezulton i gjobitur nga Policia Rrugore me 2.000 lekë për kundravajtjen “tejkalim shpejtësie”. Lajmi konfirmohet zyrtarisht në portalin online të Policisë së Shtetit falë një kërkimi automatik për të dhënat e autobusit me targë TR 4265 T dhe numër shasie VNESFR21000000009, ku rezulton se kjo gjobë nuk është paguar ende. 

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri me anë të një postimi në rrjetin social të “Facebook”-ut njoftoi në datën 1 dhjetor 2013 se “debitorët me gjoba pa shlyer, do dalin jashtë kufijve të Shqipërisë vetëm pas shlyerjes së plotë të gjobave”. Në përgjigje të menjëhershme të këtij qëndrimi u formulua brenda 24 orëve edhe urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, në pikën 1 të të cilit sanksionohet mes të tjerash se “në pikat e kalimit kufitar të verifikohen të gjitha mjetet dhe drejtuesit e tyre që dalin nga Republika e Shqipërisë, për detyrime të pashlyera ndaj Policisë së Shtetit, gjoba të vendosura dhe për të cilat ka kaluar afati i parashikuar në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”. “Pas verifikimeve të kryera sipas proçedurave standarte për daljen e shtetasve dhe automjeteve, drejtuesit e mjeteve të konstatuar debitorë do të paguajnë detyrimet e pashlyera ndaj Policisë së Shtetit për të vazhduar udhëtimin jashtë vendit”, vijon më tej udhëzimi i Didit për të gjitha pikat e kalimit kufitar. Por në rastin e autobusit “qeveritar” me targë TR 4265 T ky urdhër nuk u zbatua. Së pari sepse i gjithë kabineti “Rama” udhëtoi normalisht drejt Prizrenit pa u penguar në kufi me Kosovën. E së dyti sepse kjo konfirmohet lehtësisht në sistemin online të Policisë së Shtetit ku ky mjet rezulton ende me gjobë të papaguar. 

Të kontaktuar me telefon nga “Gazeta Shqiptare” burime të larta zyrtare të Policisë së Shtetit pohuan se “autobusi me të cilin udhëtonte e gjithë qeveria ‘Rama’ e kaloi kufirin Shqipëri-Kosovë pa e paguar gjobën”. Por në funksion të këtij qëndrimi saktësuan se “në rastin konkret nuk është shkelur urdhri i ministrit Tahiri, pasi në kufi me Kosovën ka vetëm një kontroll dhe ai realizohet nga pala kosovare. Ndryshe nga kufijtë e tjerë ku ka kontroll të dyfishtë, në dalje të kufirit me Kosovën kontrolli i automjeteve realizohet vetëm në një pikë, nga pala kosovare. Ndërkohë, në hyrje, pra nga Kosova në Shqipëri, të gjitha automjetet kontrollohen nga policia shqiptare”, – pohuan për “GSH” të njëjtat burime. 

Fakt është se gjoba nuk është paguar ende. Dhe ironia më e fortë qëndron jo vetëm se i gjithë kabineti qeveritar zgjedh të udhëtojë me një autobus me gjobë të papaguar për “tejkalim shpejtësie” por dhe se pasagjer i tij është pikërisht ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili me apo pa dijeninë e tij ka shkelur i pari urdhërin e nxjerrë vetë për të ndaluar në kufi çdo mjet që rezulton debitor karshi Policisë së Shtetit. 

Reagon Kompania e autobuseve
Pas publikimit të lajmit në Gazeta Shqiptare, kompania e autobusëve pretendon se e ka paguar gjobën dhe për këtë ka postuar në rrjete sociale një mandat prerje arkëtimi. Megjithatë në sistemin online gjoba nuk është regjistruar dhe në kufi funksionon sistemi online. 

/GazetaShqiptare/