DURRËS, 14 janar 2014 – Porti më i madh i vendit është në një pik pune: tri anije me rreth 33 mijë tonë mallra dhe 139 njësi kontejnerësh përpunohen më 14 janar 2014 në portin e Durrësit, ndërkohë në radë dhe në pritje janë 4 anije me mbi 4 700 tonë mallra dhe 240 njësi kontejnerësh. Anija gjigante “Iris Halo” (GRT 56 034 tonë, regjistruar në Panama), në kalatën nr. 11 të terminalit lindor, po shkarkon 20.000 tonë qymyr për llogari të  fabrikës greke “Antea Cement” (në Bokën e Kuqe të Fushë-Krujë, degë e grupit “Titan”, në foton 2 poshtë), njofton zyra e shtypit e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD) sha. Në kalatën nr. 10 të terminalit lindor anija “Eviacement III” (regjistruar në Panama) po ngarkon 6 400 tonë çimento pa thasë për eksport drejt Libisë. Ndërkaq, pas të shkarkimit të 3 531 tonë melaminë, anija “Olma” (regjistruar në Belize) do të kalojë në kalatën nr. 5 për të ngarkuar 5.750 tonë çimento me paleta, prodhim i “Antea Cement”-it, me destinacion portin libian të Bengazit, duke e çuar në 15.150 tonë sasinë e çimentos për eksport. Në kalatën nr. 6 po përpunohet anija “Avior” (regjistruar në Rusi) me rreth 3 mijë tonë grurë. Kurse në terminalin e kontejnerëve, që vazhdon të punojë vetëm me një vinç, pasi tjetri nuk është riparuar ende, po shkarkon 139 njësi kontejnerësh anija “Warnow Beluga” (regjistruar
në Antigua Barbuda). Në radën e portit pret për t’u bregëzuar në kalatën nr. 2 anija “Little Ann” (regjistruar në Rusi), e cila do të shkarkojë 3 300 tonë grurë në siloset pranë kalatës nr. 5 për llogari të firmës pritëse “Bloja Sha”. Ndërkohë janë rrugës dy anije, “Jork Valiant” (regjistruar në Antigua Barbuda) me 150 njësi kontejnerësh dhe lajneri “Medazov Rosa” (regjistruar në St Vincent Grenadines) me 90 njësi kontejnerësh. Po ashtu rrugës është dhe anija “Frojdi II” (regjistruar në Shqipëri, Durrës) me 1 455 tonë bërsi soje (shih tabelën).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/