Koncesioni është paraprirë me skandale mbi cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen e tyre me kredi evropiane për Shqipërinë
·        Më 20 nëntor 2012, katër muaj pas përurimit, çatia e terminalit pikonte në 40 vende
·        Kontrolli i Lartë i Shtetit më 3 qershor 2013 kërkon të nxirren “përgjegjësitë për supervizorët e punimeve “DIWI Consult GmbH” (Esen, Gjermani) dhe “Safege-Scott Wilson” (Bruksel, Belgjikë), lidhur me certifikimin e punimeve të pakryera, përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve (grupi i ndërtimit “VEGA”) në shumën 46 493 euro, si dhe rëndimin e kostos së projektit në shumën 150 262 euro”

 
Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi
 
DURRËS 13 janar 2014 –  Të huajt mbyllin sytë kur shohin shqiptarët të zhvatin paratë e Evropës, kredi të marra nga qeveria e Shqipërisë, në shkrimin e dytë për skandalin e koncesionit të terminalit të trageteve “Dyrrah”-u ndalet në parahistorinë e investimit. Më 9 janar 2014 “Dyrrah”-u botoi shkrimin” Skandali / Durrës, porti – shtetëror, por anëtar OJQ-je gjermane” (http://durreslajm.com/investigim/skandali-durres-porti-shteteror-por-anetar-ojq-je-gjermane), që pati jehonë. Sikurse dihet, në vitin 2006 BERZH-i / EBRD (Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim / European Bank for Reconstruction and Development) i ka dhënë qeverisë shqiptare një hua prej 14 milionë euro si ndihmë për financimin e një terminali të ri tragetesh dhe rehabilitimin e dy kalatave për përmirësimin e shërbimeve të udhëtarëve dhe mallrave. Projekti u bashkë-financua me BEI-n / EIB (Banka Evropiane e Investimeve / European Investment Bank). Kjo e fundit akordoi si hua edhe 18 milionë euro të tjerë. Gjithsej 32 milionë euro. Përveç financimit nga qeveria shqiptare. Gjithë këto shuma mund të kenë tunduar dhe të huajt.   
ME ARKITEKTURË DHE TEKNOLOGJI TË AVANCUAR
Realizimi i projektit, hartuar nga kompania “Royal Haskoning” me seli në Amersfoort, Holandë, u krye në dy faza. Faza e parë përfshiu sheshin e hyrje-daljeve, së bashku me pikat e kontrollit policor dhe doganor të auto-veturave dhe faza e dytë ndërtimin e terminalit si dhe sheshin e hyrje-daljeve të kamionëve, me pikat përkatëse të kontrollit. Puna për ndërtimin e terminalit të ri të Trageteve filloi me 16 qershor 2008 dhe përfundoi me 31 maj 2012. Kontraktuesi i realizimit të punimeve ishte kompania sllovene SCT d.d. dhe, nga tetori 2010 e në përfundim, kontraktues i objektit është kompania shqiptare “Vega”. Kryeministri Sali Berisha e ka përuruar më 11 korrik 2012 terminalin e ri të trageteve të Portit
të Durrësit. Në ceremoninë e përurimit kryeministri Berisha shoqërohej nga ministrat Sokol Olldashi dhe Eduard Halimi, nga deputetët demokratë Igli Cara dhe Osman Metalla, si edhe përfaqësues të organeve të pushtetit vendor dhe të forcave të ndryshme politike të mazhorancës. “Inauguruam terminalin e pasagjerëve me një vlerë prej rreth 22 milionë euro, me arkitekturë dhe teknologji të avancuar”, – tha kryeministri.
ME ÇADËR BRENDA NË SALLË
Gazeta në print “Dyrrah”-u, më 5 nëntor 2012 ka botuar shkrimin e koleges Klodiana Haxhiaj me  titull “Skandal, pikon çatia e terminalit”. Shirat e parë të vjeshtës 2012 kanë
nxjerrë në dritë faktin se terminali i trageteve, i cili u përurua më 11 korrik 2102, pra pas 3 muaj e gjysmë, ka futur ujë në pjesën më të madhe të tij. Çatia e tij duket se nuk e ka përballuar sasinë e madhe të reshjeve dhe ka nisur të pikojë. Për pasojë nga terminali janë larguar aparaturat kompjuterike të operatorëve të kompanive të lundrimit, të doganës dhe APD-së, të cilat u vunë në rrezik nga lagështira. “Dyrrah” ka dokumentuar përmes fotove rrjedhjen e çatisë si dhe pastrueset që ishin urdhëruar të fshinin herë pas here ujin që pikonte nga çatia e objektit. Vlen të theksohet fakti se investimi i realizuar për terminalin e pasagjerëve u mirëprit si nga udhëtarët ashtu edhe nga autoritet portuale që operojnë në portin e Durrësit. Ndërsa çatia e godinës pikon drejt e në kokat e udhëtarëve të bën përshtypje fakti sesi një investim i këtyre përmasave është marrë në dorëzim pa u kolauduar. Punonjës të policisë së rendit, por edhe të doganës thonë se gjatë netëve kur fortunali përfshiu portin, situata ka qenë tragjikomike. Udhëtarëve u duhej të mbanin çadrat hapur brenda në terminal, sepse shiu që binte jashtë derdhej mbi kokat e tyre. Punonjësit e doganës thanë se ishin detyruar të tërhiqnin të gjitha aparaturat e tyre nga zyrat që kanë brenda në terminal, sepse çatia që pikonte, i rrezikonte ato si dhe dokumentacionin shkresor. Të njëjtën situatë kanë përjetuar edhe punonjësit e sporteleve të policisë kufitare brenda në terminal, të detyruar t’i hiqnin nga aty kompjuterët. “Të të them që janë 30 të çara nga ku pikon uji i shiut është pak, pasi janë edhe më shumë e kjo nuk do mend, sepse shikojeni vetë, në të gjithë sipërfaqen e çatisë gjen të çara”, – tha një punonjës i policisë së rendit, i cili nuk do të identifikohet. Këtë realitet e konfirmojnë edhe punonjësit e lokaleve brenda terminalit të pasagjerëve. Kolegia Haxhiaj shkruan se kontaktoi më 1 nëntor 2012 me ish-drejtorin ekzekutiv të APD sha, Eduard Ndreu në lidhje me këtë çështje, por drejtori refuzoi të jepte shpjegim për situatën e krijuar aty. Vetëm pas ditësh, nën trysninë e medieve, që i referoheshin “Dyrrah”-ut në print, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë publike së. Autoritetit Portual Durrës (APD sha), Eduard Ndreu u deklaroi medieve se këtë situatë po e ndiqte me shqetësim dhe se për këtë ka kërkuar ngrirjen e fondit prej 3 milionë eurosh të garancisë nga firma fituese e tenderit “Vega”. Ndreu tha se u vunë në dijeni si firma që ka bërë ndërtimin e çatisë ashtu edhe mbikëqyrësi i punimeve, si edhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, raporton kolegu Mark Brunga.

MBIKËQYRËSIT MBYLLIN SYTË PËR CILËSINË
Por para-historia e koncesionit të terminalit të trageteve ka edhe të tjera skandale. Më 3 qershor 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit pas përfundimit të auditimit mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare të projektit “Ndërtimi i terminalit të trageteve në portin e Durrësit”, ka bërë publik raportin ku vihet në dukje se janë certifikuar punime të pakryera përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve në shumën 46 493 euro, si dhe është rënduar kostoja e projektit me 150 262 euro. Auditimi përfshin periudhën 1 gusht 2009-28 shkurt 2013. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar dhe kërkuar që Njësia e Zbatimit të Projektit (PIU) të marrë masa për të nxjerrë përgjegjësitë për supervizorët e punimeve “DIWI Consult GmbH” (Esen, Gjermani) dhe “Safege-Scott Wilson” (Bruksel, Belgjikë), lidhur me certifikimin e punimeve të pakryera, përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve (grupi i ndërtimit “VEGA”) në shumën 46 493 euro, si dhe rëndimin e kostos së projektit në shumën 150 262 euro.
Bie në sy fakti që kompania prestigjioze gjermane “DIWI Consult GmbH” është e familjarizuar me Shqipërinë, ka një filial me seli në Tiranë “DIWI Albania shpk” në “Sky Tower”. Përveç supervizimit të ndërtimit të terminalit të trageteve dhe kalatës; shtrimit, drenazhimit dhe thellimit emergjent të portit të Durrësit, përmirësimin e terminalit lindor të portit të Durrësit; ka bërë rinovimin e ndërtesës së Policisë së Shtetit; ka punuar me Bankën Botërore dhe MPPTT për projektin e mirëmbajtjes së rrugëve me gjatësi 2 082 km; kanalizimet dhe ujësjellësit, Korridorin Veri-Jug 50 km, ndërtimin e aeroportit të Rinasit, rehabilitimin e 30 km në segmentin Elbasan-Librazhd; ndërtimin e 36 km të korridorit Lindje-Perëndim Rrogozhinë Elbasan; projektin e rrugëve rurale 850 km (shih faksimilet përkatëse)
NEVOJA PËR AUDITIM NDËRKOMBËTAR
KLSH-ja ka kërkuar të merren masa për të bërë të mundur kryerjen e auditimit financiar për regjistrat dhe llogaritë financiare të projektit, bazuar në standardet ndërkombëtare të
kontabilitetit, për fondet e akorduara nga kreditë, në zbatim të marrëveshjes së BEI, të ratifikuar me ligjin nr. 9691, datë 8.3.2007. Të merren masa për të siguruar burimet financiare për punimet shtesë të certifikuara dhe të regjistruara si të papaguara, të cilat janë kosto shtesë e projektit dhe në bazë të nenit 6 të marrëveshjes së BEI-it duhet të sigurohen nga pala
shqiptare. PIU të marrë masa që interesat e akumuluar të maturuar të shumave të huas së BEI-t, të përdoren për llogari të projektit dhe jo të xhirohen në llogaritë e Qeverisë në Bankën e Shqipërisë, pasi shkresa nr. 641/1 prot., datë 6.3.2008, e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit është në kundërshtim me nenin 6 të Marrëveshjes së BEI-it. PIU të marrë masa për të plotësuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në nenin 3 të Marrëveshjes së BERZH-it, për të paraqitur raportet periodike për projektin, çdo tre muaj, brenda 30 ditëve pas
përfundimit të periudhës së raportimit deri në përfundimin e projektit, një tabelë progresi, bazuar në planin kohor të zbatimit të projektit, që tregon progresin e secilës pjesë të projektit dhe përfshin një grafik për shpenzimet faktike dhe ato të planifikuara. PIU të marrë masa që në të ardhmen, nëse është i nevojshëm rialokimi i fondeve të huave dhe ndryshimi i skemës së financimit për projektin “Ndërtimi i terminalit të trageteve”, të japë argumentet e duhura dhe arsyen pse duhet të bëhet rishpërndarja e fondeve (më hollësisht, shih http://www.durreslajm.com/speciale/klsh-terminali-i-trageteve-projekti-150-mij%C3%AB-euro-mbi-kosto).
Info / Grupi ndërtimor “VEGA” Z. Aleksandër Gavoçi, i cili kishte pasur më përpara eksperienca në aktivitete të tjera private, vendosi të themelojë një kompani ndërtimi të quajtur VEGA. Ky vendim gjithashtu u influencua nga një numër i madh pronash të trashëguara nga familja. Fillimet e VEGA-s datojnë që në 1999. Në atë kohë, kompania ishte kryesisht e përqendruar në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale në pronat private të aksionarit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Sipas sajtit të kompanisë, “VEGA” (shih
faksimilet) ka fituar tenderët publikë për ndërtimin e seksioneve rrugore Damës-Tepelenë dhe Memaliaj-Tepelenë, lotet 1 dhe 2 të autostradës Kukës-Morinë dhe për segmentin Milot-Fushë-Krujë, shtrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës; terminalet e trageteve Sarandë e Durrës, kalatën 10 Durrës dhe kalatën
120 ml të Shëngjinit. Kompania është anëtare edhe e DIHA-s (Deutsche Industrie-und Handelsvereinigung in Albanien – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në
Shqipëri) (shih faksimilen). Punonjës të kompanisë gjermane të supervizimit “DIWI Consult” janë punësuar në “VEGA”.
Sqarime për fotot
1. Foto kryesore: Pamje nga lart e terminalit të trageteve
2.  Foto e 1 nëntorit 2012 e çatisë që pikon (në qendër bulat e ujit)
3. Foto e 1 nëntorit 2012 e pellgut me ujë në dysheme
4. Foto e 1 nëntorit 2012 teksa pastruesja fshin dyshemenë e lagur nga ujërat e çatisë
5. Faksimile e faqes 9 të gazetës print “Dyrrah” e 5 nëntorit 2012, shkrimi“Skandal, pikon çatia e terminalit”
6. Faksimile e faqes së DIWI shpk në Tiranë
7. Faksimile e faqes së DIWI shpk ja projektet e zbatuara në Shqipëri faqja 1
8. Faksimile e faqes së DIWI shpk, ja projektet e zbatuara në Shqipëri faqja 2
9. Faksimile e faqes së “VEGA”, ja tenderët publikë në rrugë
10. Faksimile e faqes së “VEGA”, ja tenderët publikë në porte
11. Faksimile e faqes së DIHA-s (Shoqata Gjermane e
Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), në fund del emri i VEGA-s si anëtare

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/