13 janar 2014 – Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh dhe kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me kreun e bashkisë së Kamzës Xhelal Mziun, pas lirimit të këtij të fundit. Në fjalën e tij Basha është shprehur se ka takuar Mziun për ti dhënë fund arrestimit të paligjshëm të tij i cili zgjati 24 ditë. Sipas Bashës arrestimi i Mziut ishte një prapavijë mafioze politike e cila nxiti një fushatë shpifjeje.
"Faktet tregojnë se mënyra se si Xhelal Mziu u ndalua, u shoqërua, u vu në masën e arrestit dhe paralelisht me këtë u ndërmorën masa dhe veprime antiligjore ndaj familjarëve të tij, bashkëshortes së tij, familjes së tij. Fakti se paralelisht me këto u ngrit një fushatë e tërë shpifjesh e denigrimesh në adresë të tij dhe familjarëve të tij, e cila u faktua tërësisht e pabazuar, por e dirigjuar politikisht tregon se kemi të bëjmë jo thjesht me një shkelje, me një dhunim të ligjit, të garancive kushtetuese që ligji u jep jo vetëm kryebashkiakëve, por çdo qytetari shqiptar, në çdo cep të këtij vendi, por aq më shumë në rastin në fjalë fakton atë që kemi thënë gjithmonë, prapavijën e qartë denigruese politike dhe aksionin e përbashkët mafiozo-politik për të denigruar një figurë të zgjedhur për herë të dytë me votën e qytetarëve të Kamzës.
Në thelb të këtyre veprimeve qëndron, për fat të keq, një stereotip i rrezikshëm që po konsolidohet falë mazhorancës së re dhe sjelljes së krerëve të kësaj mazhorance, që ky është stereotipi jo i shtetit ligjor, jo i bindjes së verbër ndaj ligjit, jo i sundimit të ligjit, po i sundimit të urdhrave politikë dhe i përpjekjes për të vënë gjithçka nën kontroll politik. Në këtë kuadër nuk mund të mos shtoj se këtij stereotipi i shtohet edhe një stereotip tjetër paragjykues, por që në thelb ka frikën dhe pasigurinë që shkakton tek këta njerëz të papërgjegjshëm që, për fat të keq, sot janë përgjegjës për shtetin. Entuziazmi i njerëzve liridashës i banorëve liridashës demokratë në shpirt, pavarësisht nëse kanë apo jo teserat e Partisë Demokratike këtu në Bashkinë e Kamzës. Dua të theksoj se Partia Demokratike nuk ka ushtruar dhe nuk ushtron asnjë lloj presioni politik as në rastin e Xhelal Mziut dhe asnjë rast tjetër, por Partia Demokratike nuk mund të mos denoncojë dhe do të denoncojë me forcë dhe do të dënojë me forcë sa herë që të jetë rasti, presionet politike për të nënshtruar këta qytetarë të Republikës së Shqipërisë ndaj proceseve antiligjore në kundërshtim të plotë me ligjet e vendit dhe me garancitë kushtetuese të të drejtave të njeriut.
Thënë kjo, Partia Demokratike disponon të dhëna të plota dhe të pakundërshtueshme për thellësi të zeza të implikimeve mafiozo-politike në rastin e Xhelal Mziut, ndërkohë që avokatët e tij do të bëjnë punën para drejtësisë, ne do të vazhdojmë të monitorojmë procesin me një dhe vetëm një qëllim, garantimin e triumfit të drejtësisë mbi çdo makinacion politik, garantimin e triumfit të shtetit ligjor, kjo është ajo për të cilën partia demokratike është zotuar dhe nuk do të lërë në baltë asnjë nga këto qytetarët që janë këtu dhe asnjë qytetar shqiptar kudo ku ndodhet pavarësisht bindjeve politike. Për këtë Partia Demokratike mbetet një garante e fuqishme", u shpreh Basha.





