11 janar 2014 – Ashtu siç ishte lajmëruar, dy kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaci do te kryejne mbledhjen e perbashket te dy qeverive ne Prizren.Ne kete mbledhje do të firmosen sot marrëveshjet e para, pas marrjes së mandatit të qeverisë së re shqiptare.
Ministrat e kabinetit "Rama" u nisën sot rreth orës 08:00 të mëngjesit, me autobus drejt Prizrenit, për t'u takuar me homologët kosovarë, në orën 11:00. Minstrat e kabinetit "Rama" e cilësojne këtë takim si një moment shumë të rëndësishëm në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës.
AXHENDA
Detajet e kësaj mbledhjeje dhe agjendën e saj, bashkë me pikat e rendit të ditës dhe dokumentet e nevojshme i ka akorduar me Qeverinë e Shqipërisë, ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku. Për këtë qëllim, Çitaku ka qëndruar në Tiranë bashkë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Bernard Nikaj, ku janë takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe vartës të tij, për hartimin e përbashkët të konceptit të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare.
Mbledhja e qeverive do të mbahet në në Hotel ‘Theranda", ndërsa konferenca për shtyp e dy kryeministrave do të mbahet tek ‘Lidhja e Prizrenit’”, ka thënë Çitaku.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka zbardhur dje në mesditë axhendën që do të ndjekin 2 qeveritë që presin të mbajnë mbledhjen.
Rendi i ditës i mbledhjes së parë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
Pas ceremonisë së hapjes së mbledhjes nga dy Kryeministrat, z. Hashim Thaçi dhe Z. Edi Rama do të vijohet me shqyrtimin e dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili do të nënshkruhet nga dy Kryeministrat.
Mbledhja do te vijojë me shqyrtimin e disa Marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në lehtësimin e tregtisë, në fushën e transportit dhe infrastrukturës, bashkë-financim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës, si dhe jetësimin e bashkëpunimit në rrafshin konsullor ndërmjet dy vendeve tona.
Mes dy Qeverive do të bisedohet për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve, themelimin e Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit.
Në mbledhje do të shqyrtohen dhe projekt-ide për bashkëpunim në fushat e Kulturës, Sigurisë, Energjisë dhe përmirësimit të standardeve te jetesës së shqiptarëve në rajon.





