10 janar 2014 –  Kryetari i PD, Lulzim Basha, i është bashkuar sot demokratëve të Tropojës, në 23 vjetorin e krijimit të PD në këtë qytet. Në nisje të fjalës së tij, Basha ka theksuar se Tropoja mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht dhe përgjithmonë me demokracinë, përmes kontributit historik që dhanë Azem Hajdari, Sali Berisha, e qindra e mijëra demokratë të tjerë të kësaj treve, që nga nisja e lëvizjes studentore e deri në ditët e sotme.  

Basha ka theksuar se të vendosur përballë mashtrimeve të së majtës, shqiptarët kanë kthyer sot sërish sytë tek Partia Demokratike, si shpresa e tyre për të ardhmen.

“Shqiptarët po kthejnë sërish sytë e shpresës dhe pritshmërive nga Partia Demokratike, sepse janë përballur që në këta muaj të parë me zhgënjim, me dëshpërim, për atë çfarë u ofron sot kundërshtari ynë i majtë. Çfarë u ofron? Mashtrime pa fund, të një burri që as nuk skuqet, as nuk zverdhet, edhe kur mashtrimin e ka mbrapa shpatullave të tij në ekran, siç e kishte mbrëmë. Premtoi, se legalizim falas s’ka; premtoi ulje çmimesh, rritje çmimesh; premtoi shëndetësi falas, nuk ka; premtoi heqjen e TVSH-së për ushqimet e shportës, asnjë nuk hoqi. Kjo është qeveria e mashtrimeve”, tha Basha. Kreu i PD ka theksuar se situata e rendit sot në Shqipëri është alarmante dhe “ky përkeqësim – u shpreh Basha – është efekti i drejtpërdrejtë i spastrimit politik që iu bë Policisë së Shtetit”. “Oferta e tyre është “tritol-politika”. Me “tritol-politikën” kanë konceptuar projektin e tyre për kundërshtarin dhe kundërshtimin, si diçka që frikësohet apo zhduket mes shpërthimit dhe pluhurit. Duke denoncuar “tritol-politikën” e Edi Ramës, si një politikë shkatërrimtare që synon të riciklojë konfliktualitetin më të egër në historinë e pluralizmit, ne demokratët i themi Ramës se do të të izolojmë në kullën tënde të “barutit”, u shpreh Basha.