10 janra 2014 – Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Bashkim Latollarin, autorin e vrasjes së katërfishtë në fshatin Gjonomadh të Korçës. Latollari ka mbërritur në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa ka thënë se është penduar për krimin. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Arben Lena, ka pranuar të marrë në mbrojtje të akuzuarin, pasi asnjë nga avokatët nuk ka pranuar ta mbrojnë atë për shkak të parregullsive.

“Avokatët kanë bojkotuar mbrojtjen e Latollarit. Duke u nisur nga situata, do ta marr unë në mbrojtje Latollarin”, ka thënë Lena.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të martës në fshatin Gjonomadh, ku Bashkim Latollari ka shkuar i armatosur në banesën e Rexhep Metellarit duke e ekzekutuar, me arsyen se kishte prishur lidhjen që ai kishte me Danielën, nusen e nipit të tij.

Bashkim Latollari nuk ka kursyer as bashkëshorten e Rexhepit, Valentinën, duke e lënë edhe atë të vdekur në vend. Ai pasi ka ekzekutuar çiftin Metellari, është nisur drejt banesës ku jetonte e dashura e tij, së bashku me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët 4 dhe 6 vjeç. Nën kërcënimin e armës ai ka kërkuar nga Daniela Meçollari të linte bashkëshortin dhe të largohej me të, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga ana e saj, duke bërë që të hapë zjarr edhe ndaj këtyre dy bashkëshortëve.