DURRES, 10 janar 2014 –Ajo që ka bërë djali dhe nipi im është e pafalshme, por nusja duhet ta falë djalin e saj, me burrin të bëjë ç'të dojë". Kështu ka deklaruar nëna e 44-vjeçarit Gjergj Arapi, i cili mbrëmjen e së dielës dhunoi dhe i preu flokët gruas së tij Valentinës së bashku me djalin 17-vjeçar. Dava Arapi ndodhet në banesën me qira të djalit të saj, bashkë me të bijën e të afërm të tjerë. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" ajo dënon aktin e të birit dhe deklaron se ndihet e turpëruar nga ajo çka ai ka bërë. 
Nga njëra anë prania e saj aty është për siguruar mbështetje për nusen e saj Vojsavën, ndërsa nga ana tjetër për të "zbutur" të renë për të tërhequr denoncimin për djalin e saj 17-vjeçar.
 
Dava si e morët lajmin? 
Nuk dinim asnjë gjë. Në mbrëmje kur hapëm televizorin e mësuam se çfarë kishte ngjarë. Është e rëndë për të gjithë ne, por për mua si nënë është dyfish e rëndë.
 
A jeni në dijeni të konflikteve që ka patur djali me nusen, apo djali me nënën e tij? 
Jo, që punët të shkonin deri në këtë pikë asnjëherë. Nuk na e merrte mendja. Për më tepër që im bir Gjergji, mund të jetë xheloz sepse e ka dashur shumë gruan e tij. Nga dashuria mund ta ketë bërë këtë gjë, e të ketë ngritur dorë. Konflikte midis çifteve ka, ka edhe sherre, por këta kishin për të rritur dy fëmijë se janë në gjendje të keqe ekonomike. Megjithatë kjo është e pafalshme si për djalin si për nipin.
 
Dava, a ka ndodhur ndonjëherë më parë në fisin tuaj, që burri apo djali ti presin flokët nënës? E keni në traditë? 
Jo, s'ka ndodhur kurrë, as në fisin tonë e as kemi parë, për kaq kohë sa u bëra unë gjallë. Por mendoj që nipi e ka bërë në një çast të nxituar, i nevrikosur, sepse ai është ende fëmijë i parritur. Më vjen shumë keq që ka ndodhur kështu, sepse na kanë ulur kokën e na kanë turpëruar. Megjithatë zemra e nënës nuk mund ti hedhë poshtë fëmijët e saj.
 
Ç'mendim keni për denoncimin që ka bërë nusja juaj? 
Unë në televizor e kam parë, që tha se nuk do falë as djalin e sa burrin. Unë do ti them, që të bëjë ç'të dojë me burrin, por djalin duhet ta falë, se e ka lindur vetë dhe duhet ta mbajë afër, si nënë që është. Unë sot erdha tek e reja dhe e di që është grua e mirë dhe zonjë, sepse ajo mban familjen. Por një kërkesë kam për ti bërë, që ta falë djalin e saj.
 
Gjergjin djalin tuaj e dinit se pinte alkool? 
Po ka pirë, e di që pinte raki. Po nuk e ndalonte dot njeri.
 
Si është rritur Gjergji, yt bir? 
Me varfëri e fukarallëk. Djalë i pesë vëllezërve dhe motrave të tjera. Punonte ku i dilte në fillim. Pastaj ka qenë i sëmurë edhe ky, por nuk e kemi çuar në psikiatri. Se një vëlla e ka me kartelë të sëmurë në shtëpi. Nuk kemi patur mundësi ta çojmë në spital, për më tepër që kishim hall se bëhej edhe më keq dhe do të braktiste familjen dhe fëmijët.
 
Ku jetoni ju, si është gjendja juaj familjare? 
Ne pasi ikëm nga Mirdita jemi vendosur në Kurbin, është një zonë e thellë malore edhe kjo. Gjergji jetonte me ne, me të dy prindërit, por ngaqë e donte më shumë familjen e tij dhe dy djemtë iku nga shtëpia dhe u vendos në Laç. Për një jetë më të mirë, për djemtë dhe më pas erdhi në Durrës me qira. Më la mua në fshat së bashku me babain e tij 80 vjeç dhe një vëlla të sëmurë me probleme mendore. Të dy ata i mbaj unë që jam e moshuar vetë. Jemi pa të ardhura fare.
 
Cili është apeli juaj si nënë? 
E ç'të them unë? E kam zemrën copë, nga e gjithë kjo që ndodhi. Unë si nënë u dua vetëm të mirën, doja tu dëgjoja zërin e mirë e të punonin e të jetonin së bashku me fëmijët që kanë për të rritur. Kjo na ka bërë që të turpërohemi të ulim kokën para njerëzve.

/ Gazeta Shqiptare /