10 janar 2014 – Ekonomistët paralajmërojnë se paketa e re fiskale e qeverisë do të fusë në kolaps ekonominë. Rritja e çmimit të karburanteve dhe cigares do të prekë konsumatorët, sidomos shtresat më të varfra. Ish deputeti demokrat i Komisionit të Ekonomisë, Selami Xhepa, në një prononcim për gazetën “Sot”, paralajmëroi se rritja e çmimit të karburanteve mbart me vete abuzimin me cilësinë dhe peshën e produkteve, të cilat do të rriten si pasojë e paketës së re fiskale të qeverisë. “Rritja e çmimit të naftës do t’i ketë efektet negative te konsumatori dhe në ekonomi. Kjo tashmë kërkon forcimin e autoritetit të kontrollit të tregut. Rritja e çmimit do të sjellë abuzime me cilësinë e produkteve që do të rriten si dhe me peshën. Konsumatori do të paguajë dy fish. Rritja e taksave është një mënyrë për të ndihmuar buxhetin e shtetit, por efektet do të jenë negative dhe në sektorin privat”, u shpreh Xhepa. Deputeti demokrat, Bedri Hoxha, deklaroi se në zonat rurale fshatarët kanë rritur çmimin e plehrave kimike dhe pesticideve, si rrjedhojë e rritjes së çmimit të naftës. Ai jep alarmin se nga kjo rritje do të preken më shumë të varfrit. “Rritja e çmimit të karburanteve është si një njeri që nuk ka ushqim! Me rritjen e çmimit të karburanteve do të rritet gjithçka. Në zonat më rurale është rritur çmimi i plehrave kimike, pesticideve. Kjo rritje do të prekë më shumë shtresat e varfra”, u shpreh Hoxha.  

Dashamir Shehi

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaron se rritja e çmimit të karburanteve do të ndikojë negativisht në treg. “Është tentuar të grumbullohen para nga disa sektorë të cilët efektin negativ në ekonomi do ta kenë efekt blic. Rritja e karburanteve me 120 lekë do ta ketë efektin në treg më të madh. Ky efekt do të shtrihet në të gjitha pjesët e tjera të ekonomisë. Duke rritur naftën me dëshirën për të mbledhur pak para, do të rëndojmë shumë biznesin. Efektet do të jenë negative, çmimet do të rriten. Disa tatime që janë bërë për qeratë e bizneseve të vogla, për mënyrën e përllogaritjes së pagesave, unë gjykoj se fryma e tensionit për qark kësaj teme do të jetë më e madhe sesa efektet pozitive. Heqja e taksës së sheshtë, sidomos për biznesin e madh, do të ketë një efekt shumë negativ më tepër sesa ajo që do të grumbullohet nga rritja e taksave. Filozofia për të ngritur taksat, që do të grumbullohen 250 milionë dollarë më shumë, do të pasohet me efekte më shumë negative”, u shpreh Shehi.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti demokrat, Sherefedin Shehu. “Paketa e re fiskale do rrokullisë ekonominë. Rritja e çmimit të karburanteve do ndikojë në xhepat e konsumatorëve. Kjo paketë fiskale parashikohet të të sjellë 24 miliardë lekë të reja në buxhet vetëm si rrjedhojë e rritjes së tyre, ndërsa i vetmi premtim i pambajtur nga ana formale është tatimi mbi të ardhurat nga pagat. Më e keqja që ne shikojmë është sepse kjo paketë nuk është në linjë me masat për zbutjen e krizës dhe për hapjen e vendeve të reja të punës, të cilat kanë qenë premtimet më të mëdha që ka dhënë PS në fushatë elektorale, dhe pritshmëria më e madhe për qytetarët. Kjo paketë fiskale nuk do të nxisë zhvillimin ekonomik, por do të krijojë premisat për rënie ekonomie”, u shpreh Shehu.