10 janar 2014 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në intervistën e tij të parë për vitin 2014, ne "Opinion"ka komentuar 100 ditët e para të qeverisë, aksionet e qeverisë, borxhin, humbjen e statusit etj. Kryeministri Rama është ndalur fillimisht tek gjobat e policisë ndaj drejtuesve të automjeteve, të cilat janë kthyer në një shqetësim të përgjithshëm për qytetarët shqiptarë. Duke u ndalur tek lufta ndaj korrupsionit dhe paligjshmërisë, Rama i bëri thirrje kryeprokurorit Llalla që të zbardhë përgjegjësit e implikuar në ndërtimin e paligjshëm të pallatit të Lulzim Bashës në Vlorë. Kryeministri paralajmëroi një tjetër aksion ndaj ndërtimeve pa leje. Rama pohoi se nuk ka ftohje të marrëdhënieve me SHBA, ndërsa shtoi se statusi i bllokuar nga forcat islamike. Rama ka komentuar raportet me Blushin dhe Metën. Ndërkaq, Rama ka deklaruar se është i hapur që PDIU të jetë pjesë e qeverisë. 

-Gjobat janë shqetësimi kryesor i qytetarëve, a është një fushatë e paligjshme dhe abuzive e Policisë së Shtetit?

Nuk mund të pretendojmë që, në kaq pak kohë, të kemi një sistem të përsosur të administrimit për shkak të gjendjes së rëndë që kemi trashëguar. Por, pa u mësuar me respektin e rregullave dhe me pagesën e gjobave, ata të cilët janë mësuar të bëjnë të fortin në raport me policinë dhe me shtetin, sot ndjehen jo mirë dhe e zmadhojnë këtë problematikë. Gjobat e papaguara, janë një problem që ne kemi marrë përsipër ta zgjidhim dhe do ta zgjidhim. Sistemi është duke u përmirësuar çdo ditë. E vërteta është që, qytetarët të gjithë kanë mundësi të verifikojnë gjobat e tyre, nëse kanë apo nuk kanë gjobë, në sistemin online të Ministrisë së Brendshme. E vërteta është që qytetarëve të cilëve u dërgohet gjobë, u jepet dhe një mundësi apelimi dhe ata kanë në dorë një faturë që i lejon të qarkullojnë.   

-Ka persona që nuk kanë marrë njoftim për gjobën dhe këta janë shumica e personave të gjobitur…

E vërteta është që një pjesë të njoftimeve, qytetarët nuk e kanë marrë për shkak të kaosit që kemi trashëguar me sistemin e adresave. Të gjitha gjobat janë dërguar me postë dhe një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht nga posta për mos gjetje të adresave. E vërteta është që çdo person mund të verifikojë vetveten në sistemin online.   

-Z. Rama, a do t’i kërkoni falje të gjithë qytetarëve që u kthyen mbrapsht në pikat kufitare?

Nuk do t’i kërkojmë falje askujt! Përpara se të vihej në lëvizje ky proces, ka pasur një periudhë 2 javore lajmërimesh. Qytetarët janë lajmëruar që do niste ky proces dhe janë njoftuar për të marrë të gjitha masat për të paguar gjobat. Mundësia e pagimit të gjobave është në të gjitha pikat e daljes dhe të gjithë mund të paguanin aty. Nuk është një sistem i përsosur, me siguri ka dhe defekte. Ky është një proces që ka filluar dhe nuk do të ndalet. Kjo qeveri është zgjedhur për të nxjerrë Shqipërinë nga katrahura. Ne duhet të gjithë të biem dakord që, çdo rregull duhet të zbatohet nga të gjithë.

  -Por kjo z. Rama nuk mund të bëhet me fushata si ajo që ndodhi me lojërat e fatit, të cilat u bllokuan dhe më pas u rihapën sërish… Kjo është e pavërtetë. Ne nuk i kemi mbyllur të gjitha për të bërë pastaj hapje. Ne kemi bërë dhe në këtë rast, proces të qartë dhe transparent me të gjithë që kanë qenë të licensuar dhe që problemin më të madh kishin faktin se, në treg ishte 70 për qind e tregut në të zezë. Ne kemi thënë që do bëjmë një mbyllje të të gjithave dhe pastaj mbasi të goditet e gjithë industria e krimit që operon në të zezë, do të rihapen të gjithë ata që kanë licencë. Ndërkohë, do përgatitet baza e re ligjore për vendosjen e një afati pasi kjo lojë nuk do të vazhdojë pafund në Shqipëri. Do të kenë një afat për të mos dalë të dëmtuar.   

-A është arbitraritet mbyllja e atyre që kanë qenë të licencuar dhe të rregullt z. Rama dhe atyre që kanë qenë të parregullt?

Për shkak se pjesa më e madhe e tregut ishte në të zezë ka ndodhur ajo që ka ndodhur gjithmonë, se dhe ata që ishin të licencuar kishin pjesë të aktivitetit në të zezë. Nga mbyllja, ata që nuk kanë qenë të licencuar, janë goditur njësoj si pjesa në të zezë e atyre që ishin të licencuar.  

Këto muaj në qeverisje duket se rendi është në një situatë katastrofike dhe shumë të keqe. Ç’farë mund të na thoni?

Nëse do të kishte qenë këtu paraardhësi im një vit më parë, shifrat do të ishin dyfish. Është e vërtetë që krimi është një problem, por në vetëm 100 ditë, ne kemi ulur numrin e vrasjeve në raport me të njëjtën periudhë të viti të shkuar me 42 për qind. Pothuajse është përgjysmuar.   

-Ka pasur deklarata për shifrat…

Nuk i referohem deklaratave politike të një partie që e la Shqipërinë në duart e krimit dhe që u mundua të manipulonte çdo shifër.   

-Por opozita ka sjellë në konferencë shtypi se qeveria juaj dhe Ministria e Brendshme nuk po regjistron të gjitha rastet e krimit, por po i shmang ato madje po bën presion ndaj shtypit të mos i publikojë këto raste?

Këto janë sajesa të pavërteta dhe të dënueshme. Nuk ka asnjë rast që krimet të mund të fshihen dhe të imagjinohet se Ministria e Brendshme bën presion që të mos publikohen në shtyp. Kjo është pjellë e një fantazie të shthurur nga dhimbjet e një barku të mbingopur, që po shpohet nga të katër anët për shkak të gjithë goditjeve ndaj krimit.   

-Ju shqetësoheni apo jo për situatat e rendit në vend?

Jemi ende në një rrugë që është vetëm fillimi. Deklarata jonë, zotimi ynë janë qartësisht angazhim për të vendosur në përparësinë e shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve. Kjo nuk do të thotë se pas 300 ditësh në Shqipëri nuk do të ketë asnjë krim, asnjë vrasje, asnjë problem. Kjo do të thotë që, qytetarët po e shohin ndryshimin e sjelljes dhe rezultateve të policisë së shtetit. Për herë të parë ministrat gjobiten dhe paguajnë gjoba. Deputetët gjobiten dhe paguajnë gjoba. Eskorta e kryeministrit respekton semaforin. Ju siguroj se nëse eskorta e kryeministrit shkel rregullat e qarkullimit rrugor, do të përballet me policinë e shtetit.   

-Dhe eskorta e presidentit e bën këtë dhe e kryeministrit paraardhës e ka bërë këtë. Kjo nuk është asgjë…

Presidenti nuk ka qenë paraardhësi im. Flas për paraardhësit dhe mënyrën se si dy paraardhësit e fundit janë sjellë me semaforin.   

-Kali juaj kryesor i betejës në fushatë ka qenë ulja e borxhit publik, ndërkohë që ju e keni çuar në 75%, ku është premtimi?

Ne nuk kemi rritur borxhin por kemi legalizuar një borxh që ishte aty. Borxhin e qeverisë të shpallurin dhe të fshehurin.  

-Kush është ai i fshehuri?

Borxhi i padeklaruar. Ai borxh që u skanua dhe doli në dritë jo nga qeveria shqiptare por në bashkëpunim me FMN prej 726 milionë dollarësh. Ashtu siç kemi legalizuar borxhin e trashëguar, ashtu do legalizojmë dhe ndërtimet pa leje të trashëguara.  

-Keni 7 përqind të rritjes së borxhit të mirëfilltë. A keni menduar që tatimet duhet të mbledhin të faturuar 780 milionë dollarë?

Shqipëria sot nuk është ajo e djeshmja në trajtimin e fakteve dhe të dhënave të ekonomisë. Shqipëria sot nuk ka një qeveri që i shkruan shifrat vetë. Por është e angazhuar në një marrëdhënie dhe program të ri me FMN. Nuk mund të thuhet se FMN është një institucion që mund të përfshihet në broçkulla të kësaj natyre. FMN është garancia për Shqipërinë se në 4 vitet e ardhshme, borxhi do të kthehet në shifra shumë më të pranueshme. Borxhi do të shkojë në 64 për qind. Ky është një objektiv i nënshkruar në marrëveshjen me FMN-në, është dokumenti bazë i një monitorimi të rreptë.  

-Sa është borxhi sipas jush që po merrni? 

Ne kemi marrë një borxh shumë të favorshëm nga FMN, nga Banka Botërore dhe nuk dua të flas për shifra konkrete pa kaluar në bordin e FMN-së marrëveshja. Nuk dua të spekulohet me këto shifra. Borxhi që kemi marrë është një borxh për të rivënë në lëvizje gjithë ekonominë dhe për t’i dhënë fund një historie të tmerrshme manipulimi me publikun.   

-Paketën fiskale e keni patur një nga kredit politike, ju thoni taksë të ndershme, ndërsa të tjerë thonë që ishte një ndryshim që u bë për të mbushur gropën e zezë që ju ishte lënë… 

Kemi mbajtur zotimin solemn dhe sot kemi 97% të qytetarëve që paguajnë më pak. Unë si kryeministër do paguaj më shumë se paraardhësi im, ministrat do të paguajnë me shumë seç paguanin. Ne nuk kemi masakruar askënd, përkundrazi edhe në nivelin e lartë kemi taksa ndër më të ulëtat në Evropë.

 -56% e këtij 97% paguhen nën 300 mijë lekë, që do të thotë nuk paguajnë taksa…  

300 mijëshi me tatimin mbi të ardhurat zero ishte propozimi ynë i fundvitit të shkuar. U mor në vigjiljen e etheve elektorale dhe copy-paste u fut dhe u adaptua nga qeveria paraardhëse. Ata 300 mijë e kanë përfituar këtë nga programi ynë i rilindjes, 6 muaj apo një vit në avancë. Ai që paguhej 300 mijë nuk paguante taksa ai që paguhej 301 mijë paguante 10%. Sot nuk është më kështu.    

-Ju thoni që Imami të ndëshkohet për korrupsion. A keni bërë gabim? 

Së pari, fjalia “të dënohet për korrupsion” nuk ishte një urdhër, sepse unë nuk kam nën urdhra prokurorinë dhe gjykata.      

-Ju jeni akuzuar se keni shkelur ligjshmërinë, emërimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.. Kam dhënë përgjigje para Parlamentit, se emërimi është tërësisht në respekt të plotë të ligjit. Arrestimi nga Policia e Shtetit të përmbaruesve privatë në një konflikt në ish selinë e PSD. Rast skandaloz ta shihje para kamerave…  

Skandaloze ishte sjellja e përmbaruesve privatë para kamerave dhe nga informacioni i marrë, më rezulton se Policia po vepron konform ligjit.

Shembja e pallatit të famshëm në Vlorë, ku një ndër zhvilluesit e pronës është vjehrri i kryetarit të opozitës, që në njëfarë mënyre u kthye në një problem. A ishte kjo hakmarrje politike e drejtpërdrejtë për konkurrentin tuaj. A është një lloj arrogance? 

Nuk kam bërë fare deklarata për këtë objekt. Unë deri këtu nuk e kam besuar që në këtë ngrehinë monstruoze të kishte dorë kryetari i opozitës. Vjehrri nuk është figurë politike. Çfarë ka politike me vjehrrin?! Mos të marrim nëpër gojë njerëz…nuk më intereson! Rasti konkret është flagrant dhe ne presim që prokuroria të zbardhë të gjithë zinxhirin e grabitjes që i është bërë qytetit të Vlorës dhe publikut duke i marrë detin për të ndërtuar pallat, një zinxhir që fillon dhe mbaron në të gjitha hallkat e një procesi. Mirëpresim që prokuroria ta zbardhë dhe të ndëshkojë autorët. 

  -A është kjo një arrogancë?

Nuk është arrogancë! Për sa i përket parave, nisi një procedurë shpronësimi vetëm për ata të cilët në mirëbesim bazuar në një leje të dhënë tërësisht jashtë rregullave, në mirëbesim kanë blerë apartamente aty.  Tani do të vazhdojë edhe një valë e re prishjesh për godina që kanë dokumentacion. Ne duam që gjirin e Vlorës ta bëjmë portën hyrëse për turizmin jo në Shqipëri por në Mesdhe. Duam ta kthejmë në atë që meriton Vlora, që meriton Shqipëria dhe Kosova.   

-Po Durrësi, po Saranda që janë të betonizuara? Pse pikërisht e nisët te ky pallat?

Po flasim për 100 ditëshin e qeverisë dhe jo pas katër vjetësh. Projekti do të vazhdojë në Ksamil. Task-forca e ngritur do të zbresë në Dhërmi e me radhë.   

-A rrezikohet që gjysma e lejeve që keni dhënë në Tiranë të prishen?

Këto janë spekulime. Aty ku do të duhet të ndërhyhet për ndërtime pa leje për shkak të një plani tërësor, aty do të zbatohen ligjet e shtetit dhe do të shkohet në procedura shpronësimi.   

-A keni dështuar në raportet me SHBA në rastin e armëve kimike? 

Jo!   

-Përse nuk vutë në dijeni kryetarin e Parlamentit për këtë çështje? 

E kam vënë në dijeni që në momentin e parë.   

-Vetë kryetari i parlamentit ka thënë në shtyp që nuk i dinte të gjitha detajet në lidhje me këtë operacion… 

Kryetari i parlamenti ishte i informuar.   

-A është e vërtetë që në sirtarët e punës tuaj gjendet një letër e presidentit Obama? 

Unë kam marrë një letër nga presidenti dhe nuk e kam parë të arsyeshme ta publikoj në ato momente. Nuk doja që në atë tollovi antiamerikanizmi që u shfaq me forcën brutale të një opozite të çakërdisur të përfshihej edhe letra e presidentit.   

-A ka lënë hije në raport me SHBA, jo-ja për armët kimike? 

Nuk ka lënë asnjë hije. Marrëdhëniet me SHBA janë të shkëlqyera, janë marrëdhënie reciprociteti. Shqipëria tenton të marrë statusin disa herë.   

-A vazhdoni t’i qëndroni idesë se keni folur për problemet që lidhen me brenda dhe për problemet që vijnë nga ekstremistët?

Qeveria ka vetëm një pjesë në gjithë këtë histori; pjesën e vlerësimeve më të larta që na janë bërë. Fakti që shtyrja nuk u bë dhjetor me dhjetor, por dhjetor me qershor.   

-Doris Pack është shprehur: Qeveria nuk e ka bërë pjesën e saj që i takon për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve të drejtësisë?

Unë di që Doris Pack ka botuar rezolutën, ku ka thënë se Shqipëria do të marrë statusin dhe di që ajo është një nga qindra deputete të Parlamentit. Unë nuk dua t’i referohem asaj çfarë thotë një europarlamentare, por çfarë thonë drejtuesit e qeverive partnere dhe çfarë thotë deklarata e KiE.   

-Ku arrini që forca ekstremiste pengoi integrimin tonë? Pse tre vende kryesore Gjermania, Franca dhe Britania kanë dalë kundër Shqipërisë?

Nuk kanë dalë kundër Shqipërisë. Nga të treja palët drejtpërdrejt unë kam marrë vlerësime për qeverinë. Arsyet janë; nga njëra anë zhgënjimi i madh me qeverinë paraardhëse dhe nga ana tjetër influenca e atyre forcave për shkak të ndikimit që ka mbi gjithë politikën evropiane fakti se në marsin e ardhshëm ka zgjedhje për PE. Të gjitha forcat politike do futen në zgjedhje.   

-Burime shumë të rëndësishme diplomatike në Bruksel, thonë se Danimarka e ka marrë shumë seriozisht denoncimet që ju keni bërë për gjyqin e Metës në vitin 2012. Por nuk është e qartë nëse ndërroni qëndrim ju për këtë çështje.

Ne nuk kemi çuar dosje asgjëkundi. Nuk e di a është gazetari juaj në Bruksel apo gazetari te kulla e PD.   

Perceptohet Shqipëria si një vend mysliman?

Atyre forcave që u jam referuar, nuk e fshehin. Në këtë pikë kam deklaruar që të jemi bashkë, të gjithë ne shqiptarët. Nëse ka qëndrim të hapur kundër myslimanëve nga këto forca nëpër Europë, qëndrim që lavdi zotit është refuzuar nga forcat që janë sot në fuqi, në asnjë mënyrë ne nuk mund të pranojmë që ato forca të na kategorizojnë si vend mysliman dhe këtë ta marrin si një invaliditet.  

-Keni filluar të kërceni napolonin tani…

Nuk besoj se këto janë tema për batuta bulevardeske. Kur flas për snobët e Tiranës, e kam fjalën për ata që nuk interpretojnë një foto të zakonshme. Qoftë unë, qoftë Hashim Thaçi, e quajtëm njerëzore dhe modeste në një shtëpi shqiptare në Prizren. Është një sofër tradicionale në nderin e tre miqve. Unë nuk fola për gazetarët, por për një snobizëm skandaloz. Këto janë gjëra që unë i kam neveritur në të gjitha kohët, qoftë edhe kur kam pasur vath në vesh.   

-U nervozove shumë…

Unë pasionohem shumë për këto gjëra dhe jo kur më sillni shifra të Komisionit të Ekonomisë.    

-Kushtetuesja rrëzoi aktin normativ. Çfarë do bëhet me atë që janë shkarkuar nga puna?  

Ne do të presion zbardhjen e vendimit të gjykatës dhe do të marrin pastaj hapat tona. Ne po bëjmë një reformë në respekt të plotë të ligjit.   

Xhelal Mziu ndodhet në burg, ndërsa Shpëtim Gjika ndiqet në gjendje të lirë? Apo ndëshkohen kundërshtarët tuaj politikë dhe apo bëhen diferencime? 

Ne nuk e morëm në mbrojtje politike kryetarin e Bashkisë së Vlorës, por mbështetëm hetimet e prokurorisë. Ndërkohë, kur Mziu u vu nën akuzë, ai u mor në mbrojtje, madje iu bënë edhe vizita në burg.    

-Çfarë do bëhet me sistemin energjitik?

Gjysma paguajnë shumë, gjysma tjetër nuk paguan fare.  Kjo pasuri kombëtare po kthehej në fatkeqësi kombëtare. Ne do ta ndryshojmë këtë rrugë. Do të bëjmë ndryshime në Kodin Penal dhe kush vjedh energjinë për qëllime fitimi, do të shkojë në burg.   

-A do rritet mosha e pensionit? 

Nuk bëhet fjalë për rritje moshe, por për një reformë. Është spekulim.   

-Keni deklaruar legalizime falas. A është ky një premtim i dështuar? 

Më ra ritmi i të qeshur jo se më kapin. Por pasi janë shumë të kapur, kujtojnë se të kapin. Ky nuk është sofizëm. Ne do t’i japim fund kësaj çështje brenda katër vitesh. 300 mijë familje janë ilegale. 160 mijë kanë aplikuar. Nuk mund të flisni për dështime në premtime në katër vite. Vetëm 26 mijë kanë marrë certifikatën, pra Shaban tapinë. Brenda muajit do të shpallim platformën e legalizimeve falas.   

-Si i keni raportet me Blushin? 

Raportet janë normale dhe jemi miq.   

-A është kjo qeveri Rama dhe Meta? 

Ky është një koalicion me dy parti dhe me një forcë. Ky koalicion ka dy liderë. Qeveria funksion si skuadër. Funksionojmë si ekip. Ndeshjen në 23 Qershor e fituam thellë. 

  -Kryetari i ekipit përballë, ju ka munduar përballë? 

Kush është kryetari i ri?  Kryetari i ri është shprehje e vullnetit të kryetarit të paraardhësit.  

-A i keni premtuar Metës postin e Presidentit? 

Nuk është diskutuar kjo çështje.   

-A do ta ftoni PDIU në qeverisje? 

Kjo varet nga vullneti i forcave të tjera. Ne jemi të hapur. Kjo nuk është prioriteti ynë, por në jemi të hapur.