DURRËS, 23 dhjetor 2013 – Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë bën të ditur se drejtoria rajonale për kufirin dhe migracionin Durrës ka pasur rezultate konkrete në drejtim të evidentimit të personave të kërkuar, të cilët duke përfituar nga flukset në hyrje-dalje të pikave të kalimit kufitar, synojnë udhëtimin drejt vendeve të tjera apo Shqipërisë. Konkretisht gjatë ditëve të fundit janë evidentuar e ndaluar në orvatje për udhëtim 4 persona. Më 22 dhjetor 2013, rreth orës 11:30, u kap në hyrje të territorit të RSH i kërkuari Asqeri D., 29 vjeç, me banim në fshatin Dom të Matit. Ai u kthye nga Italia dhe gjatë përpunimit rezultoi person në kërkim, pasi gjykata e rrethit gjyqësor Mat më 27 dhjetor 2012 e ka dënuar me 6 muaj burgim për falsifikim dokumentesh. Iu dorëzua komisariatit të Burrelit. Më datë 23 dhjetor 2013, rreth orës 9:30, u kap i kërkuari Ergys M., 22 vjeç, me banim në Tirane. Sipas kallëzimit në polici, më 28 tetor 2013 rezulton se Ergys M. i ka marrëMercedez Benz-in me targa AA080AR me pretekstin për ta blerë dhe nuk ia ka kthyer më shtetasit A. B. Më 23 dhjetor 2013, rreth orës 9:00, u kap i kërkuari Leonard Z., 24 vjeç, me banim në Durrës. Më 18 nëntor 2013, ora 19:10, në hyrje të qytetit të Kavajës, duke drejtuar mjetin targa AA 112GK, nuk iu bind postbllokut, duke u larguar me shpejtësi në drejtim te qytetit të Durrësit. Më 21 dhjetor 2013, rreth orës 9:00, u kap e kërkuara Valentina S., 28 vjeçe, me banim në Tiranë. Gjatë verifikimeve në hyrje të territorit të Shqipërisë ajo ka rezultuar  person në kërkim, pasi gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, me vendim datë 21 qershor 2012 e ka dënuar me 4 muaj burg për përdorimin e vizave të falsifikuara.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/