DURRËS, 23 dhjetor 2013 – Adoleshentë me maska kërcënojnë dhe grabisin natën. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njoftojnë se seksioni për krimet e rënda në drejtori ka regjistruar në Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë më datë 19 dhjetor të këtij viti një hetim, i cili lidhet me dy vepra të rënda penale si vjedhja me armë në bashkëpunim dhe shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie, kallëzuar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës nga një biznesmen në Krujë. Hetimi, i cili u zhvillua në bashkëpunim edhe me komisariatin e policisë Krujë, ka çuar në identifikimin e dy autorëve të kësaj ngjarjeje, kapjen dhe arrestimin e tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Kështu, më 22 dhjetor 2013, ora 20.00, u arrestuan dy 16-vjeçarë, H. E., me banim në lagjen Varosh të qytetit të Krujës dhe S. K., 16 vjeç, me banim në fshatin Çudhi. Më 19 dhjetor 2013 në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës ka bërë denoncim shtetasi E. D., 27 vjeç, banues në Krujë, pronar në një biznes në qytetin e Krujës, i cili denoncon dy ngjarje. Më 4 dhjetor 2013 në Krujë, ku pas orës 20:00, teksa po kthehej në banesë, në një nga rrugicat në afërsi të saj, dy shtetas të maskuar dhe nën kërcënimin e një arme zjarri brezi dhe të hanxhari mishi, i kanë grabitur dy varëse floriri dhe një aparat telefonik celular. Më 17 dhjetor 2013 e në vazhdim, e kanë kërcënuar me telefon celular duke i kërkuar shuma prej 200.000 lekësh. Pas denoncimit të fakteve seksioni për krimet e rënda filloi e vijoi hetimet mjaft intensive, ku rezultoi se shtetasit në fjalë kishin shitur sendet e vjedhura në tregun e Tiranës, ndërkohë që gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. K. u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 26 copë fishekë model 56 të kalibrit 7.62 mm dhe një sasi prej 9.5 gramë kanabis.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





