23 dhjetor 2013 – Do të përballem me drejtësinë. Nuk mund të flas më shumë për kallëzimin që është bërë ndaj meje dhe pjesëtarëve të familjes sime, për shkak se nuk jam njohur me të. Por të jeni të bindur që do të jem i hapur për hetime. Siguroj se do vazhdoj të qëndroj në Shqipëri…”. Biznesmeni i njohur Rezart Taçi, i cili është kallëzuar në prokurori bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes, si dhe bashkëpunëtorë, për mosshlyerje detyrimesh, evazion fiskal, si dhe falsifikim dokumentesh është i qartë, kur shprehet se do të jetë i hapur për hetime. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare ”, Taçi tha se është përballur me prokurorinë dhe herë të tjera, por asnjëherë ndaj tij nuk janë gjetur prova fajësie. Prerë dhe shkurt, biznesmeni Taçi garanton se nuk do të largohet nga Shqipëria, duke i dhënë mundësinë prokurorisë të hetojë rreth tij dhe pjesëtarëve të familjes, që dyshohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm që kap vlerën e 15 milionë dollarëve. Zyrtarë të prokurorisë, të pyetur për dosjen “Taçi” thanë se kanë nisur verifikimet për materialin që u ka vënë në dispozicion Policia e Shtetit, por është ende herët për të folur për gjëra konkrete. Hetuesit brenda pak ditësh pritet të thërrasin në prokurori biznesmenin Taçi dhe pjesëtarët e familjes së tij, motrën Anika Taçi, babain Mustafain, të ëmën dhe dy bashkëpunëtorë, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar duke kryer vepra penale, që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një “gropë” të madhe në biznes. Ndërsa prokuroria deklaron nisjen e hetimeve ndaj biznesmenit dhe pjesëtarëve të familjes së tij, biznesmeni shmang komentin lidhur me pyetjen nëse akuzat ndaj tij i cilëson politike…
Z.Taçi ndaj jush dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes është bërë një kallëzim penal për mospagim detyrimesh në Tatime e Dogana. Si i cilësoni këto akuza? A kanë ndonjë prapavijë politike?
Ende nuk jam njohur me faktet dhe provat që pretendojnë se kanë kundra meje. Sa të vihem në dijeni, do të kem një reagim.
Ju jeni përballur disa herë me prokurorinë për çështje të tjera dhe në fakt nuk ka pasur akuzë zyrtare të ngritur ndaj jush. Çfarë mund të na thoni?
Është e vërtetë që jam përballur dhe herë të tjera me prokurorinë e shtetit, e cila ka detyrë të hetojë për çdo shtetas mbi të cilin dyshon për një vepër penale. Në çdo rast që jam përballur me organet e drejtësisë, nuk kanë pasur kundra meje, qoftë dhe faktin apo provën më të vogël.
Po këtë herë, do të jeni i hapur për hetimin?
Absolutisht që po. Do të jem i hapur për hetime dhe do të jem i gatshëm të përballem me prokurorët, siç kam bërë dhe më herët.
A ka ndonjë mundësi z.Taçi të largoheni nga Shqipëria, për të shmangur në këtë mënyrë përballjen me drejtësinë?
Unë jam në Tiranë. Madje tani po drekoj. Të jeni të sigurt që nuk do të iki askund. Do të qëndroj në Shqipëri, për t’u përballur me drejtësinë.





