Agjencitë detare janë të shqetësuara për pagesat e vonesave të anijeve, pasi kanë pranuar të punojnë pa kontratë me koncesionarin e terminalit të kontejnerëve.

·        Pritësit e mallrave kanë porositur ngarkesat për festat e fundvitit dhe janë në ethe për të mbushur tregun

·        Grosistë nga Kosova po presin kontejnerët që janë transit

·        Kurse dogana rrezikon të humbasë të ardhura për planin e vitit 2013

Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi

DURRËS, 22 dhjetor 2013 – “Kurum”-i bllokon 4 anije me 837 kontejnerë, që presin të shkarkohen dhe zhdoganohen në portin e Durrësit. Kjo, për shkak të defekteve të vinçave (prodhime të viteve 2005 dhe 2008) që ka marrë me qira kompania turke.

KUSH E PËSON

Agjencitë detare “GALA”, “MSC”, “Pelikan” janë të shqetësuara për pagesat e vonesave të anijeve (kontrastali) pasi, me shumë mendjelehtësi, kanë pranuar të punojnë pa kontratë me koncesionarin e terminalit të kontejnerëve. Pritësit e mallrave kanë porositur ngarkesat për festat e fundvitit dhe janë në ethe për të mbushur tregun. Grosistë nga Kosova po presin kontejnerët që janë për transit nëpër Rrugën e Kombit. Dogana rrezikon të humbasë të ardhura deri në mos realizim  plani për vitin 2013. Për më tepër, rrezikohet që vinçat e marrë me qira nga turqit, të mos riparohen deri më 31 dhjetor 2013 e më tej. Puna, në rastin më të mirë, mund të rifillojë nga mesi i janarit 2014!  

NGËRÇ I PARALAJMËRUAR DY DITË MË PARË

Më 20 dhjetor 2013 “Dyrrah”-u ka kontaktuar me drejtues të koncesionarit të Terminalit të Kontejnerëve dhe të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha lidhur me informacionet që kishtedurreslajm.com se pritej një bllokim i punës në përpunimin e kontejnerëve më 22 dhjetor 2013.  “Dyrrah”-u kishte mësuar se APD sha nuk kishte lejuar fillimin  e punës së një vinçi tip “Gottwald Crane Seria 7” për Terminalin e Kontejnerëve, i blerë në portin turk të Mersinit, ku kishte punuar qysh në vitin 2007. Vinçi ka një kapacitet ngritës 150 tonë dhe peshë të përgjithshme rreth 500 tonë. APD sha ka kërkuar ekspertizë për aftësinë mbajtëse të kalatës, pasi mund të dëmtohet kjo e fundit.

NDËRHYRJE KRIMINALE NË KOMPJUTERIN E VINÇIT

Ndërkohë “Durres Terminal Container” ka marrë me qira nga APD-ja sha qysh nga janari 2013, me kontrata dymujore, dy vinça të lëvizshëm: “Fantuzzi” MHC 200 me kapacitet ngritës 120 tonë, prodhim i vitit 2005, dhe “Fantuzzi” MHC 115 me kapacitet ngritës 60 tonë, prodhim i vitit 2008. Por, për shkak të ndërhyrjeve të kundërligjshme dhe joprofesionale në sistemin kompjuterik nga turqit, vinçat janë defektuar. “Dyrrah”-u ka mësuar se orët e para të mëngjesit të ditës së diel, përsëri është tentuar të ndërhyhet në sistemin kompjuterik, por nuk i ka lejuar APD-ja, me qëllim të mos dëmtohej më tej gjendja teknike e vinçave.

“GARANCIA”

Mesut Yanar, drejtor i përgjithshëm i Terminalit të Kontejnerëve, që përfaqëson grupin turk KURUM, i tha “Dyrrah”-ut se vinçat e marrë me qira do të riparoheshin dhe nuk do të pengohej përpunimi i anijeve të kontejnerëve. Pas rreth 2,5 orësh në pritje, zëvendësdrejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së sha Artjon Qirici, i cili sapo kishte dalë nga takimi me z. Yanar, i pranoi “Dyrrah”-ut se situata ishte jonormale, delikate, por nuk mund të paragjykonte koncensionarin, i cili mund ta riparonte vinçin shqiptar. Burime nga “Durres Container Terminal” thonë se turqit kanë akuzuar APD-në për bllokimin e punës, ndërkohë që përgjegjësia për gjendjen teknike të vinçave bie mbi KURUM-in.

E DIELA “MULLAR”

Gjithsesi, e keqja ndodhi. Më 22 dhjetor 2013, janë bllokuar në port, radë dhe rrugës 4 anije të mëdha me një total prej 837 TEU (njësi kontejnerësh) për shkarkim dhe po aq për ngarkim: anija “Warnow Beluga” me 287 TEU është akostuar më 22 dhjetor 2013 ora 1e 5 minuta pas mesit të natës; “MSC Augusta” me 315 TEU është në afërsi të portit qysh më 22 dhjetor 2013; “Vega Aquila” me 135 TEU ka mbërritur në radë më 22 dhjetor 2013 ora 9:36, kurse “Medazov Rosa” me 100 TEU mbërrin më  25 dhjetor 2013.               

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/