TIRANE, 22 dhjetor 2013 – Kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzon kryeministrin Edi Rama për dështim në qeverisjen e vendit, gjatë 100 ditëve të para të punës së ekzekutivit. Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, kreu i PD-së tha se projekti që paraqet qeveria e re është “demokracia në kërcënim, ekonomia drejt rrënimit dhe shqiptarët drejt varfërimit.”
Sipas Bashës, gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes, kryeministri Rama ka humbur 3 herë konsensusin më të rëndësishëm, “të rinisë kundër armëve kimike, të ligjit kundër aktit normativ dhe të familjes europiane kundër statusit kandidat”.
“Qeveria nuk mund të thotë dot se çfarë ka bërë por çfarë ka zhbërë. Ekzekutivit i vjen era barut, por nuk ka asgjë të mirë për të shënuar. Çdo shqiptar ndihet dhe jeton sot më keq, përveç qeveritarëve, Edi Rama ka goditur në mënyrë fatale shpresën dhe optimizmin tij. Ramës i tha jo rinia para zyrës së tij, Gjykata Kushtetuese dhe Bashkimi Evropian. Ka humbur 3 herë konsensusin më të rëndësishëm, të rinisë, ligjit dhe familjes europiane. Kush e kishte menduar se një kryeministër mund të kishte një bilanc negativ në 100 ditë. Demokracia nën kërcënim, ekonomia drejt rrënimit dhe shqiptarët drejt varfërimit kjo është ajo që projekton qeveria e re. E nisi me shkeljen e konsensusit dhe i mbylli 99 ditët pa bashkëpunim, e nisi me shkelje të ligjit dhe po e mbyll me shkelje të ligjit. E nisi me presione e shantazhe ndajini institucioneve të pavarura, ashtu po e mbyll.”- deklaroi Basha.
Sipas shefit të opozitës, qeveria ka bërë vetëm propagandë në këto 100 ditë. “Ka një gjë që kjo qeveri e ka bërë shumë mirë këto 100 ditë dhe kjo është propaganda, pjesë e të cilës ishte dhe aktiviteti i sotëm”- deklaroi Basha.





