TIRANE, 22 dhjetor 2013- Zbulohet pronari i makinës me të cilën qarkullon deputeti i PD-së Ridvan Bode, ish-ministër i Financave.
Osman Hoxha është pronari i targave TR 4300 N dhe i makinës luksoze “Mercedes- Benz” me ngjyrë të zezë, e cila është në përdorim të ish-ministrit Bode. Burimet e gazetës kanë thënë dje, pas publikimit të lajmit në lidhje me targat e mjetit, se makina me të cilën qarkullon ish-Ministri i Financave Ridvan Bode nuk është në pronësi të tij. Pretendimi i njerëzve afër deputetit të PD-së pas interesit të gazetës ka qenë se mjeti është në pronësi të Osman Hoxhës. Ky person mësohet se ia ka lënë mjetin ish-ministrit në përdorim, pasi Bode nuk ka një makinë të tijën aktualisht. Në sistemin e vjetër të Policisë së Shtetit, targat TR 4300 N dalin se i përkasin një “Jaguari”, ndërkohë në sistemin e ri targat në fjalë nuk dalin se i përkasin asnjë mjeti. Të njëjtët njerëz të afërm të ish-ministrit shprehen se makina është në pronësi të Osman Hoxhës, i cili ia ka lënë në përdorim të përkohshëm Bodes. Lidhja mes Hoxhës dhe Bodes sqarohet se është thjesht një nder miqësor, duke qenë se ata njihen mes tyre. Njohja mes Bodes dhe pronarit të makinës duket se ka ardhur nga Shkëlqim Hoxha, ish-zyrtar i Ministrisë së Financave që është edhe vëllai e Osman Hoxhës, pronarit të makinës që përdor deputeti i PD-së. Shkëlqim Hoxha ka qenë drejtor i njësisë së kontrollit të lojërave të fatit në kohën e drejtimit të Ministrisë së Financave nga Ridvan Bode. Më pas ai ka drejtuar drejtorinë e shërbimeve mbështetëse në këtë ministri. Ishministri mësohet se ka edhe një lidhje fisnore me dy vëllezërit Hoxha.

/ panorama /