22 dhjetor 2013- Kryeministri Rama deklaroi se qeveria i ka përmbushur objektivat e saj gjatë 100 ditëve të para të punës dhe se gjatë këtyre ditëve, u vendos guri i parë i mirëqeverisjes, që është transparenca. “Kushti i parë i mirëqeverisjes është transparenca, dhe ne kemi vendosur gurin e parë të transparencës. Në këto 100 ditë, kemi treguar me vepra këtë përkushtim. Përmbushëm objektivat tona në krye të 100 ditëve. Disa kanë qenë të dukshme, të tjerat do të duken me hyrjen e buxhetit 2014", tha Rama. Kryeministri nënvizoi dukshëm se po mbahen të gjitha premtimet. “Sot jemi thirrur në provë, për të provuar se modernizimi tërësor i shërbimeve publike, duke nisur nga modernizimi i administratës është pjesa e munguar në luftën kundër korrupsionit. Konkurenca janë vlerat që sapo kemi nisur ta bazojmë këtë proces dhe krijimi i mundësive të barabarta. Qysh prej 1 janarit, 800 mijë vetë do të marrin vizitën mjekësore falas, e kemi garantuar. Nga 1 janari, 30 mijë gra e vajza që as nuk merrnin dot ekzaminimet mjekësore për shkak të varfërisë e papunësisë, do i bëjnë falas. Kemi çliruar shkollat nga aktiviteti tregtar dhe i kemi dhënë rrugë ndërtimit të shkollës, si qendër komunitare".

“Dua të them që vetëm 100 ditë më parë, kjo qeveri e mori miratimin e Kuvendit për të rilindur Shqipërinë, duke ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit, të mirëqënies dhe të integrimit. Dhe ne besojme që themeli i kësaj rruge është mirëqëverisja dhe kushti i parë i mirëqeverisjes është transparenca. Dhe në këto 100 ditë, ne kemi vendosur si duhet gurin e parë të mirëqeverisjes. Jemi përkushtuar të qeverisim me transparencë dhe të modernizojmë qeverisjen si edhe gjithë shtetin përmes transparencës. Në këto 100 ditë, kemi treguar me vepra këtë përkushtim. Ne jemi të vetëdijshëm që publiku pret më shumë prej nesh dhe kufijtë e durimit të njerëzve pas shumë vitesh zhgënjimi dhe rrënimi. Dhe në këto 100 ditë ne e kemi kuptuar shumë mirë këtë. 100 ditë janë shumë pak për të përmbushur të gjitha pritshmëritë nga një qeveri, por janë mjaft për të treguar që pritshmëria më e para, ajo e nevojës së njerëzve për një qeveri të njerëzve, për njerëzit  dhe me njërëzit është përmbushur. E pra, ne besojmë që në këto 100 ditë e kemi përmbushur këtë përitshmëri, siç kemi përmbushur edhe disa pritshmëri shumë të rëndësishme që kanë buruar nga programi i Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ne i kemi përmbushur objektivat tona në krye të 100 ditëve. Disa kanë qenë të dukshme për publikun, të tjerat, njerëzit do t`i prekin vetë me hyrjen në fuqi të buxhetit 2014 dhe shumë të tjera janë pikënisje e punës që do të marrin kohën e tyre ”, tha Rama.

“Sipas nesh, terësia e rezultateve të punës së 100 ditëve përvijon konturet e një modeli europian të qeverisjes, në funksion të nevojave të publikut dhe dinamikës së integrimit europian të Shqipërisë. Shpresojmë që pas kësaj paraqitje dhe raportimit online, të kemi sa më shumë kritika, të asaj që duhet të ishte bërë më mirë, por dhe asaj çfarë do duhet të bëhet në të ardhmen. Libri i trashë i gabimeve që kemi trashëguar nga paraardhësit është një ndihmë e paçmuar për të punuar duke gabuar më pak. Kjo ka bërë ndryshimin e përqasjes sonë ndaj problemeve të parlamentarizmit. Dua të falenderoj kryetarin e Kuvendit, pasi atë çfarë ka ndryshuar është themeltare. Dua të nënvizoj çfarë është bërë konkretisht, për ta ndërtuar rrugën e qeverisjes mbi vizionin e programit tonë, duke filluar nga funksionimi i administratës, pjesa e munguar ndër vite e luftës kundër korrupsionit dhe krimit, konkurenca dhe vlerësimi i meritës janë vlerat që ne kemi filluar të zbatojmë. Rritja e shkallës së përgjegjshmërisë sociale, është një ndër objektivat tonë”.