Dyshime për defekte të qëllimta të shkaktuara nga mafia “imazherike”
DURRËS, 22 dhjetor 2013 – Ministria e Shëndetësisë arriti të fusë në medie lajmin se u riparuan aparatet defekt të spitalit të Durrësit. Madje, kur ka raportuar, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja tha se “në këto 100 ditë kemi riparuar dhe rivënë në punë skanerin dhe rezonancën magnetike në spitalin rajonal të Durrësit”. Por “tri ditë ka mundur të rezistojë riparimi i skanerit të ri”, shkruan periodikja vendore e Durrësit “Bulevard”. Sipas gazetarit të njohur Xhevahir Gradica, “aparati i skanerit është instaluar pas shumë debatesh dhe sherresh në janarin e vitit të kaluar për të funksionuar deri tani për jo më shumë se dy muaj”. Gazetari ka hetuar se “skaneri dhe rezonanca nxirren qëllimisht jashtë funksioni për të vetmen arsye se ngjitur me spitalin, gjenden laboratori privat, skaneri dhe rezonanca private, të cilat kushtojnë deri në 30 mijë lekë për një shërbim që në spital mund të afrohet nga falas deri në 2 mijë lekë. Në muajin tetor të këtij viti drejtoria spitalore u detyrua të pranojë se as skaneri dhe as rezonanca nuk janë në gjendje funksionale për arsye teknike. Skaneri kishte pësuar defekt prej disa muajsh, kurse rezonancës i kishte rënë niveli gazit helium dhe për këtë arsye duhej pritur bërja e tenderit për ta rivënë në punë. Në spitalin e Durrësit është e pamundur të mësohet se kur skaneri dhe rezonanca magnetike janë në gjendje pune” dhe se “të dyja aparaturat janë të markës PHILIPS prodhim i vitit 2011 dhe si skaneri edhe rezonanca kanë ardhur nga Vjena e Austrisë për spitalin e Durrësit”. Gazeta shkruan se “kërkesat për t’iu nënshtruar këtyre aparaturave janë të shumta. Mesatarisht në gjashtë muaj 1 500 pacientë kryejnë skaner CT. Edhe rezonanca është shndërruar në një domosdoshmëri për përcaktimin e intervenimit mjekësor të specializuar. Mesatarisht 450-500 persona në gjashtë muaj rekomandohen të bëjnë rezonancë”.
Përfundimet e kolegut Gradica i ka dhe mjeku Aurel Voda. Më 8 korrik 2013 “Dyrrahu” ka botuar shkrimin “Akuza e mjekut: Mafie “imazherike” në spitalin e Durrësit” në http://www.durreslajm.com/
agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





