21 dhjetor 2013 – Zgjedhjet e pjesshme në universitetin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit kanë mbetur edhe më të pjesshme. Në tre prej fakulteteve të këtij institucioni akademik pritej zgjedhja e dekanëve, po në përfundim të procesit zgjedhor është zgjedhur vetëm një. Në njërin prej fakulteteve procesi i votimit për dekan nuk është zhvilluar me urdhër të Ministrisë së Arsimit, ndërsa në atë të Teknologjisë së Informacionit nuk ka pasur kandidaturë për postin vakant të dekanit. Vetëm Fakulteti i Studimeve Profesionale ka një dekan të ri në krye të tij, Asllan Hajdëri. Sipas drejtuesve të KQZI-së, përveç pezullimit të procesit të votimit për dekan në Fakultetin e Biznesit, procesi zgjedhor është zhvilluar normalisht, pa probleme në të gjitha fakultetet. Vendimi i marrë nga gjykata e Durrësit në muajin shtator të këtij viti, njeh rezultatin e procesverbaleve të Komisionit Zgjedhor të Fakultetit dhe shpall dekan të Fakultetit të Biznesit Prof.Dr. Bardhyl Cekun, rezultat i dalë nga zgjedhjet e zhvilluara në nëntor të vitit 2012. Ky vendim është apeluar nga Universiteti. Kaq ka mjaftuar që rektori i universitetit, një muaj më parë, të nxjerrë urdhrin për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për autoritetet dhe organet drejtuese në këtë universitet, duke përfshirë dhe zgjedhjet për postin e dekanit në Fakultetin e Biznesit. Për këtë post ishte shpallur zyrtarisht si kandidaturë e vetme ajo e Kristaq Kumes, po zgjedhjet për dekan nuk u zhvilluan. E vënë në dijeni për situatën, përmes një ankese nga i interesuari, Ministria e Arsimit ka urdhëruar pezullimin e procesit të zgjedhjeve vetëm për postin e dekanit në këtë fakultet.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/