TIRANE, 21 dhjetor 2013 –Ndonëse rritja e akcizës për produktet e duhanit është ende një propozim, tregtarët duket se e kanë vënë atë në zbatim, duke rritur kështu çmimet e paketave të cigareve. Sipas drejtorit të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa ky spekulim po dëmton rëndë xhepat e qytetarëve, ndërsa i bën thirrje autoriteteve përkatëse të ndërhyjnë menjëherë.
Z.Stafa, prej ditësh është vënë re një rritje e çmimit të duhanit. Pse ka ndodhur kjo?
Pas mbledhjes së datës 2 dhjetor të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ku u mor në konsideratë se nga 10 janari mund të rritet akciza për një sërë produktesh si: Alkooli, duhani apo karburantet, reagimi fatkeqësisht ishte shumë i shpejtë dhe shumë i rëndë, në dëm të xhepit të konsumatorit. Menjëherë kjo rritje apo kjo tendencë ishte shumë e madhe te cigaret. Ajo u vu re te importuesit e produkteve të cigareve, pra që kanë ekskluzivitetin e këtyre produkteve në Republikën e Shqipërisë.
Nga vëzhgimet tuaja, sa është rritja që kanë pësuar produktet e duhanit?
Rritja varion nga 14%-42%. Është një rritje vërtet spekulative dhe shumë e rëndë. Edhe në projektin e qeverisë, ajo që u propozua ishte që çmimi të rritej deri në 12%, ndërsa abuzimi që po bëhet tani është 3-fishi, dhe kjo pa hyrë ende në fuqi ligji, apo pa u bërë një ligj i veçantë për rritjen e këtyre produkteve.
Cila është shifra e abuzimit në dëm të konsumatorëve shqiptarë?
Spekulimi është i madh dhe llogaritjet nga data 4 deri në datën 31 dhjetor, pra së paku 27 ditë në dispozicion i bie që importuesit të fitojnë rreth 11 milionë dollarë, në dëm të konsumatorit shqiptar, në dëm të xhepit të tyre.
Rritja e çmimit është vënë re në të 12 qarqet e vendit?
Po në të 12 qarqet. Madje pavarësisht se ka patur produkte cigaresh gjendje tek importuesit ose tek shitësit, rritja është bërë te të gjitha kategoritë: Nga importuesi, magazinuesi, tregtari i shumicës, ashtu sikurse edhe pikat e vogla me pakicë.
A ka patur ankesa nga qytetarët?
Reagimi i qytetarëve dhe konsumatorëve është shumë i madh. Ankesat në Zyrën e Mbrojtjes së Konsumatorit vazhdojnë të vijnë me shkrim përmes Postës Shqiptare, vijnë online në zyrën tonë, ashtu si edhe në kontaktet e drejtpërdrejta që ne kemi në të 12 qarqet e vendit.
Cila është kërkesa juaj si Zyrë e Mbrojtjes së Konsumatorit?
Ne kemi një inspektorat në Ministrinë e Shëndetësisë që mbikëqyr "Ligjin për Duhanin dhe Alkoolin". Ky ligj shpjegon në mënyrë eksplicite se në rastet kur ka abuzime, kryesisht në rritjen e çmimeve ose luhatjen e akcizës, menjëherë duhet të ndërhyjë ky institucion për të kontrolluar. Ndërkohë që, në rastin tonë abuzimi është shumë i madh, sepse rritja është bërë në një kohë që nuk kemi një ligj të ri për akcizën. Ne i bëjmë thirrje Autoritetit të Konkurrencës, Inspektoratit të Shëndetësisë që mbikëqyr zbatim e "Ligjit për Duhanin dhe Alkoolin" të ndërhyjë menjëherë sepse nëse rritja arrin sot nga 14-42% imagjino kur rritja e akcizës të vendoset me ligj. Do të ndodhë një vjedhje e dytë, një spekulim i dytë në kundërshtim me gjithë legjislacionin shqiptar dhe në kundërshtim me gjithë interesat e konsumatorëve.
/GazetaShqiptare/





